Lokale - eSIMy

Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë ka realizuar një aksion të jashtëzakonshëm në rajonin e Podujevës, me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion dhe parandalimit të aksidenteve.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, gjatë këtij operacioni janë përdorur pajisje të avancuara dhe vetura inteligjente për monitorimin e trafikut rrugor.

Vetëm brenda tri orëve, në një rrugë rajonale të Podujevës, Policia ka identifikuar 15 automjete të paregjistruara që po qarkullonin në rrugë publike.

Ndaj drejtuesve të këtyre automjeteve janë ndërmarrë masat e parapara me ligj, përfshirë shqiptimin e gjobave dhe largimin e menjëhershëm të automjeteve nga qarkullimi.

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të kujdesen për regjistrimin me kohë të automjeteve të tyre.

Po ashtu, Policia ka paralajmëruar se kontrollet me vetura inteligjente do të vazhdojnë me intensitet të shtuar në të gjitha rrugët e rajonit, me qëllim të garantimit të sigurisë për qytetarët.