Lokale - eSIMy

Edhe në konferencën pas mbledhjes së dy qeverive që u mbajt në Prishtinë, kryeministri Edi Rama ka folur për raportet e tij me kryeministrin Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Duke folur për marrëdhënien e tij me Kurtin, të cilën e quajti miqësore dhe të kahershme, Rama tha se edhe pse s’kanë dakordësi për çdo gjë, është i qetë dhe lirisht mund t’i quajnë vëllezër.

Prandaj ai ‘kërkoi’ që ta lënë të jetë vëlla edhe i Kurtit, por edhe i Vuçiqit, raporton Sinjali.

“Unë nuk besoj në asnjë sekondë që qasja jonë e ndryshme ndaj Serbisë dëmton qasjen apo qëllimin përfundimtar. Janë dy rrugë të ndryshme, drejt të njëjtit qëllim. Njohja e Kosovës nga Serbia dhe zgjidhja përfundimtare. Me Albinin kemi marrëdhënie që është e kahershme, miqësore dhe do të jetë e tillë gjithmonë. Por juve ju duket si shaka, por kjo është e vërteta. Jemi njëkohësisht njerëz me bindje të forta, të gjesh njerëz me bindje të forta që kanë dakordësi për çdo gjë, do të thotë se atyre ose u janë dobësuar bindjet ose s’i kanë pasur najherë të forta. Në këtë pikë ne jemi të qetë, mendoj unë dhe këtë e tregon fakti se po të jeni kur jemi bashkë dhe të shikoni volumin e qeshjeve dhe autoironinë që na bashkon, mbase do habiteni dhe pastaj do thoni se ky s’qenka vëllai i Vuçiqit, por i Albinit. Më lini të rri vëllai i të dyve se mund t’ju duhem në të ardhmen”, tha Rama.