Ishte paraparë të nisej në fund të muajit prill – eventualisht në fillim të këtij muaji, por projekti i rikonstruktimit të rrugës “Skënderbeu” në Podujevë – nuk ka nisur, shkruan Llapi.info.

Portali Llapi.info ishte interesuar për këtë çështje në muajin mars të këtij viti, ku kishte kërkuar nga zyrtarë komunalë përgjigje për këtë projekt.

“Projekti i rikonstruktimit të rrugës “Skënderbeu” është në procedurat e prokurimit dhe besoj që nëse gjithçka ec sipas planifikimeve ky projekt mund të fillojë në fund të muajit prill eventualisht në fillim të muajit maj”, thuhej në përgjigje.

Por, një gjë e tillë ende s’ka ndodhur – ku thuajse jemi në fillim të muajit qershor.

Tash Komuna e Podujevës e thotë se i arsye mos fillimin e punimeve në këtë rrugë për shkak, siç thuhet në përgjigje, të vlerës së madhe dhe duhet detaje për t’u analizuar.

Vlerësimi i ofertave te operatorët ekonomikë është në fazën përfundimtare të shpalljes së fituesit. Pas shpalljes së fituesit të tenderit për zbatimin e projektit të rikonstruktimit të rrugës “Skënderbeu”, janë gjashtë ditë afat ligjor për ankesat eventuale nga operatorët ekonomikë që janë të pakënaqur. Nuk mund të përcaktojmë afat të saktë kohor, por nëse shkon gjithçka sipas planifikimeve, brenda 2 jave mund të fillojnë punimeve”, thuhet në përgjigjen e Komunës për Llapi.info.

Sipas zyrtarëve komunalë, kostoja e këtij projekti është 1 milion e 400,000 euro dhe kohën e liferimit, i njëjti projekt, parashikohet të kryhet për 220 ditë.

Në anën tjetër, kreu i Podujevës, Shpejtim Bulliqi gjatë prezantimit të këtij projekti, në shtator të vitit të kaluar, pati deklaruar se kjo rrugë do të rregullohet me të gjithë infrastrukturën.

Ka përfunduar hartimi i projektit për ndërtimin e rrugës “Skënderbeu”, rrugë që do të rikonstruktohet tërësisht në vitin 2022. Kjo rrugë do të ndërtohet sipas të gjitha standardeve infrastrukturore, ku do të përfshijë gjelbërimin, trotuarin, shtigjet e biçikletave”, ishte shprehur Bulliqi.

Por, në lidhje me këtë projekt, Komunës së Podujevës i është kërkuar evitimi i shkeljeve ligjore nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK).

Procedurat e prokurimit për tenderin 1.4 milion euro të Komunës së Podujevës, Agjencia Kundër Korrupsion i ka quajtur të paligjshme, pasi Komuna si autoritet kontraktues, e ka caktuar minimumin e punëtorëve që duhet të kenë operatorët ekonomikë

Agjencia në bazë të dokumenteve të nxjerra nga sistemi elektronik i prokurimit ka analizuar njoftimin për kontratë dhe dosjen e tenderit, ku ka konstatuar se Autoriteti Kontraktues për këtë aktivitet të prokurimit ka paraparë procedurë të hapur, kontratë publike, të llojit punë, me vlerë të madhe të parashikuar prej 1,400,000.00 eurosh. Duke caktuar një kufizim të tillë, Autoriteti Kontraktues favorizon vetëm operatorët ekonomikë të cilët kanë bërë numër të të punësuarve ose më tepër dhe në këtë mënyrë i eliminon operatorët e tjerë të cilën kanë një numër të kënaqshëm të të punësuarve. Duke caktuar një kërkesë të tillë Autoriteti Kontraktues ka vepruar në kundërshtim me nenin 7 të Ligjit në fuqi për prokurimin publik”, thuhet tutje në arsyetimin e Agjencisë Kundër Korrupsion.

Agjencia kundër Korrupsion konsideron se veprimet e Autoritetit Kontraktues bien ndesh me nenin 7: Barazia në Trajtim dhe Jo-diskriminimit, si dhe nenin 69, paragrafi 6.4: Aftësitë teknike dhe profesionale të Ligjit për prokurimin publik Nr.04/L-042, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr.04/L-237, Ligjin Nr.05/L-068 dhe Ligjin Nr.05/L-092, dhe nenin 26.8 të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativë për Prokurimin Publik”, thuhet në arsyetimin e AKK-së të këtij opinioni për Komunën e Podujevës.

Më tej, në këtë opinion, Agjencia Kundër Korrupsionit ka thënë se shkelje të tilla, sipas AKK-së, nuk duhet lejuar në aktivitete të prokurimit.

Andaj, Agjencia kundër Korrupsionit rekomandon që të evitohen këto shkelje, përmes njoftimit standard për informata shtesë dhe për përmirësimin e gabimeve, duke i njoftuar operatorët ekonomikë të cilët e kanë tërhequr dosjen e këtij tenderi”, thuhet tutje./Llapi.info

Më poshtë pamjet se si do të duket projekti: