Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, gjatë fushatës për zgjedhje lokale, pati premtuar se do të bëhet rikonstruktimi tërësisht i rrugës “Skënderbeu” , raporton Llapi.info.

Për këtë rrugë, i pari i Podujevës, që në zgjedhje garonte nga Lëvizja Vetëvendosje, pati thënë se do të ketë kosto miliona euro.

Nga zyra për medie në Podujevë i kanë thënë portalit Llapi.info se ky projekt do të nis së realizuari në fund të prillit, eventualisht në fillim të muajit maj.

Projekti i rikonstruktimit të rrugës “Skënderbeu” është në procedurat e prokurimit dhe besoj që nëse gjithçka ec sipas planifikimeve ky projekt mund të fillojë në fund të muajit prill eventualisht në fillim të muajit maj. Kostoja e këtij projekti është 1 milion e 400,000 euro dhe kohën e liferimit e ka 220 ditë”, thuhet në përgjigjen elektronike të zyrtarëve komunalë.

Në anën tjetër, kreu i Podujevës, Shpejtim Bulliqi gjatë prezantimit të këtij projekti, në shtator të vitit të kaluar, pati deklaruar se kjo rrugë do të rregullohet me të gjithë infrastrukturën.

Ka përfunduar hartimi i projektit për ndërtimin e rrugës “Skënderbeu”, rrugë që do të rikonstruktohet tërësisht në vitin 2022. Kjo rrugë do të ndërtohet sipas të gjitha standardeve infrastrukturore, ku do të përfshijë gjelbërimin, trotuarin, shtigjet e biçikletave”, ishte shprehur Bulliqi.

Por, në lidhje me këtë projekt, Komunës së Podujevës i është kërkuar evitimi i shkeljeve ligjore. Procedurat e prokurimit për tenderin 1.4 milion euro të Komunës së Podujevës, Agjencia Kundër Korrupsion i ka quajtur të paligjshme, pasi Komuna si autoritet kontraktues, e ka caktuar minimumin e punëtorëve që duhet të kenë operatorët ekonomikë

Agjencia në bazë të dokumenteve të nxjerra nga sistemi elektronik i prokurimit ka analizuar njoftimin për kontratë dhe dosjen e tenderit, ku ka konstatuar se Autoriteti Kontraktues për këtë aktivitet të prokurimit ka paraparë procedurë të hapur, kontratë publike, të llojit punë, me vlerë të madhe të parashikuar prej 1,400,000.00 eurosh. Duke caktuar një kufizim të tillë, Autoriteti Kontraktues favorizon vetëm operatorët ekonomikë të cilët kanë bërë numër të të punësuarve ose më tepër dhe në këtë mënyrë i eliminon operatorët e tjerë të cilën kanë një numër të kënaqshëm të të punësuarve. Duke caktuar një kërkesë të tillë Autoriteti Kontraktues ka vepruar në kundërshtim me nenin 7 të Ligjit në fuqi për prokurimin publik”, thuhet tutje në arsyetimin e Agjencisë Kundër Korrupsion.

Agjencia kundër Korrupsion konsideron se veprimet e Autoritetit Kontraktues bien ndesh me nenin 7: Barazia në Trajtim dhe Jo-diskriminimit, si dhe nenin 69, paragrafi 6.4: Aftësitë teknike dhe profesionale të Ligjit për prokurimin publik Nr.04/L-042, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr.04/L-237, Ligjin Nr.05/L-068 dhe Ligjin Nr.05/L-092, dhe nenin 26.8 të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativë për Prokurimin Publik”, thuhet në arsyetimin e AKK-së të këtij opinioni për Komunën e Podujevës.

Më tej, në këtë opinion, Agjencia Kundër Korrupsionit ka thënë se shkelje të tilla, sipas AKK-së, nuk duhet lejuar në aktivitete të prokurimit.

Andaj, Agjencia kundër Korrupsionit rekomandon që të evitohen këto shkelje, përmes njoftimit standard për informata shtesë dhe për përmirësimin e gabimeve, duke i njoftuar operatorët ekonomikë të cilët e kanë tërhequr dosjen e këtij tenderi”, thuhet tutje./Llapi.info

Më poshtë pamjet se si do të duket projekti: