Lokale - eSIMy

Kryeministri i Kosovës ka përjashtuar dy prej tri mundësive që i ka parë për zgjidhjen e krizës energjetike në vend. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se subvencionimi i plotë nga shteti për energjinë elektrike është barrë e madhe. Ndërsa shtrenjtimi i çmimit të rrymës, me shtetin që rri si spektator, s’është zgjidhje sipas tij. Ai ka përmendur kombinimin e të dyjave, subvencioneve dhe ngritjen e çmimit si opsionin e tretë.

Në konferencën për media, pas mbledhjes së Qeverisë ku u emëruan bordet e Trepçës dhe KEK-ut, Kurti ka folur për komentet e Ministrisë së Ekonomisë dhe asaj të Financave për propozimin e ZRRE-së për ngritjen e çmimit të rrymës. Sipas tij, ato s’janë kundërthënëse, teksa ka vlerësuar se qëllimi është i njëjtë.

MF-ja ka kërkuar që bllok-tarifa të ngrihet në 1000kWh, ndërsa ME-ja në 800. ZRRE-ja ka propozuar që kjo të jetë 600kWh.

“Duhet të presim çfarë do të thotë ZRRE-ja e më pastaj do të mblidhemi edhe ne si Qeveri të shohim si reflektohet konkretisht për javë e muaj në vijim. Besoj se në këto momente kur e gjithë ZRRE-ja po trajton komentet, duke vlerësuar drejtësinë e parashikuar pasojat, duhet pritur vendimi i tyre, mund të them se jam i gëzuar i kemi dhënë mjaftueshëm material për të menduar sa më mirë e dobishëm”, ka thënë ai.

Për rënien e bllokut A3, Kurti ka thënë se s’bëhet fjalë për avari, por për riparim që ka qenë në kalendar të riparimeve. “Termoncetrali Kosova A diku 71 ditë së paku duhet të ketë riparime gjatë vitit, e Kosova B 54 ditë. Është minimumi kur nuk funksionojnë dot shkaku i riparimeve të programuara”, ka thënë ai./Reporteri