Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, gjatë dhënies së fjalës përfundimtare, Prokuroria ka kërkuar zyrtarisht dënimin maksimal burgim të përjetshëm për Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën, të akuzuar për vrasjen makabre të Liridona Ademajt.
Sipas organit të akuzës, ky krim nuk ishte një rastësi, por një skenar i mirëorganizuar me gjakftohtësi, i cili nisi me sigurimin e jetës së viktimës dhe përfundoi me ekzekutimin e saj në një pritë të organizuar.
Prokuroria ka argumentuar se provat vërtetojnë se në qershor të vitit 2022, familja Murseli në Suedi kishte paguar polisën e sigurimit jetësor në emër të Liridonës.
“Menjëherë pas kësaj, Naim Murseli i kishte kërkuar Kushtrim Kokallës që të gjente një mënyrë për ta vrarë Liridonën. Kjo vërteton se polisa e sigurimit ishte paguar me vetëdije të plotë për qëllimin e vrasjes“, u tha në sallën e gjyqit.






