Kandidati për kryetar të Komunës së Podujevës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ajet Potera ka uruar fillimin e viti të ri shkollor, transmeton Llapi.info.

Ai përmes një statusi në llogarinë e tij Facebook ka shkruar se me qeverisjen e VV- së në këtë komunë arsimi do të jetë njëri ndër prioritet kryesore.

Sipas tij ndër masat parësore të cilat do të ndërmerren në qeverisjen e kësaj partie do të jetë ndalimi i nepotizmit dhe klientelizmit në arsim, angazhimi në ngritjen e cilësisë e rritja e numrit të kabineteve për lëndët e shkencave natyrore etj.

Më poshtë ja edhe statusi i plotë i Poterës:

Të nderuar nxënës dhe mësimdhënës të ciklit parashkollorë, fillorë dhe të mesëm, ju uroj një vit shkollor të mbarë dhe të suksesshëm!
Është për të ardhur keq, pse në disa shkolla të Podujevës është i pa mundur fillimi i mësimit për shkak të kushteve të këqija, siç është vjetërsia e objekteve shkollore, mungesa e inventarit, mungesa e transportit për nxënësit e fshatrave të thella dhe probleme të tjera, zgjidhja e të cilave është përgjegjësi e komunës.
Në qeverisjen e Vetëvendosjes në Podujevë, arsimi do të jetë ndër prioritetet kryesore. Ndër masat e para që ne do t’i marrim janë:
– Në qeverisjen tonë nepotizmi dhe klientelizmi në arsim do të ndalohen. Asnjë mësimdhënës nuk do të gjykohet mbi bazë të bindjeve të tij politike. Mësimdhënësit nuk do të shantazhohen siç është bërë deri më sot, me kontrata 1 vjeçare.
– Ne do të angazhohemi në rritjen e cilësisë në arsim. Rritja e cilësisë në arsim nuk bëhet vetëm duke ndërtuar objekte të reja, por me kuadro të reja dhe të kualifikuara. Kuadrot aktuale do të vazhdojnë me trajnime shtesë në fushat përkatëse, aty ku shihet e nevojshme
– Shujtat për nxënësit nga klasa I-V dhe për nxënësit e ciklit parashkollorë
– Do të vendosen dollapë për nxënësit e po këtyre klasave, për lehtësim të çantave
– Do të hapen laboratorë për lëndët e shkencave natyrore, siç janë fizika, kimia dhe biologjia
– Do të rritet numri i kabineteve të teknologjisë informative, kurse kabinetet ekzistuese do të pajisen me mjete të reja të punës
– Do të merren masa shtesë për shëndetin e nxënësve, siç janë vizita dhe kontrollime periodike të doktorëve në shkolla
– Do të merren masa shtesë për sigurinë e nxënësve në shkolla dhe do të angazhohemi në ndalimin e dukurive negative, siç janë duhani, alkooli dhe drogat.
– Do të bëhen investime në krijimin e hapësirave të gjelbra në shkolla dhe në mirëmbajtjen e vazhdueshme të shkollave
– Do të sigurojmë transport për nxënësit e zonave të thella
Kërkoj nga të gjithë mësimdhënësit, që pavarësisht kushteve të rënda në të cilat punoni, të vazhdoni sikur deri më sot, me punë vetëmohuese në nxjerrjen e kuadrove të reja, për nivele me të larta të studimit dhe për tregun e punës!
Urime, suksese dhe punë të mbarë!