Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Ajet Potera, gjatë fjalimit të tij në tubimin e kësaj partie në Podujevë ka thënë se qyteti i Llapit i cili shquhet për një histori të bujshme për pasuri dhe mikpritje, është katandisur nga pushtetmbajtësit aktual, raporton Llapi.info.
Sipas tij Podujeva është “ një trevë anemike ku mbretëron letargjia ku jeta është e kufizuar brenda orekseve grupore e klanore, me një ekonomi të abuzuar, me një arsim të stërkequr, me një shëndetësi të degraduar, me një kulturë të injoruar, me profesionistë të mënjanuar, me talente të ndrydhura, me administratë të burokratizuar e të pa stimuluar, me shërbime publike të diferencuara e jo cilësore.”
“Kjo fotografi e Llapit sot, ky është imazhi i qytetit tonë që e krijuan njerëzit e tij klan prishës, udhëheqësja që nuk udhëhoqi por iu përqas rrugës së përfitimeve për vete, keqmenaxhime të qëllimshme e injorimi i resurseve njerëzore e profesionale. Koha është që kjo të ndryshojë. Në dorën tuaj është momenti për ta shmangur këtë trend negativ që na kapluar. Në dorën tuaj është mundësia që bashkë të nisim rrugës që ky vend e meriton” tha Potera.
Sipas Poterës, ambiciet e VV- së në këtë komunë do të mund të arrihen vetëm me ndihmën e qytetarëve të Besianës dhe se “së bashku di ia kthejmë shpresën qytetarit tanë ti sterndërtojmë aspiratat e dëshmorëve dhe luftëtarëve tanë. Të instalojmë përkujdesje institucionale për të moshuarit pensionistët , njerëzit në nevojë ta ngrisim drejtësinë dhe barazinë para ligjit. Ta shpurrim njëherë e mirë nepotizmin e klientelizmin”
Potera gjatë këtij tubimi nuk la pa përmendur edhe heronjtë e vendit për të cilët ai tha se “ata nuk do të injorohen më do të qëndrojnë në ballë të vendit ashtu siç e meritojnë. Respekti për ta është respekti për jetën për vuajtjet për sakrificën për ëndrrat që kishin për të ardhmen tonë”
Në fund, Potera ka bërë edhe prezantimin e ekipit të tij ku bartës i listës është Bajram Ajeti.
Kujtojmë se në këtë tubim i cili u mbajt në hapësirat e teatrit të qytetit të Podujevës “Avdush Hasani” prezent ishin edhe përfaqësues të lartë të Vetëvendosjes, si kryetari i saj, Visar Ymer Albin Kurti e Albulena Haxhiu./Llapi.info