Lokale - eSIMy

Gazeta Sinjali në vazhdimësi ka raportuar për arrestimin e personave të dënuar nga Gjykatat në vend për vepra të ndryshme penale, por që të cilët arrijnë të ikin nga duart e drejtësisë. Vetëm gjatë dy ditëve të fundit kanë rënë në pranga të Policisë disa të kërkuar me urdhëresa të Gjykatave.

Një 24-vjeçar që po kërkohej me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë është arrestuar mëngjesin e djeshëm në fshatin Koshtovë. Dënimi i tij i shqiptuar nga gjykata ishte zëvendësuar në gjobë dhe me kryerjen e pagesës, ai është liruar.

Kështu ka vepruar edhe një tjetër mitrovicas i cili u arrestua në rrugën ‘Bislim Bajgora’. 65-vjeçari po kërkohej me urdhëresë të gjykatës dhe pas pagesës së gjobës ai është liruar.

Por burgut nuk arriti që t’i ikë më shumë një 36-vjeçar nga fshati Balaj i Ferizajt. Ai po kërkohej me urdhëresë të Gjykatës dhe pas arrestimit është dërguar në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë.

Në vuajtje të dënimit u dërgua edhe një 25-vjeçar i cili u arrestua mbrëmë në Istog. Ai po kërkohej me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe pas arrestimit është dërguar në Qendrën Korrektuese në Dubravë ku do ta vuajë dënimin e shqiptuar për veprën e kryer.

Pasi ishte dënuar me burgim për kryerjen e veprës penale ‘Falsifikim i dokumentit zyrtar’, një grua nga Vitia kishte refuzuar të burgoset, duke vazhduar të shijojë lirinë nga arratia. Por këtë nuk e shijoi edhe për shumë gjatë, pasi që ajo u kap gjatë ditës së djeshme. Pas arrestimit ajo ka paguar gjobën dhe më pas është liruar.

Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, Policia ka arritur që të arrestojë edhe të kërkuarin për veprën penale ‘Lëndim i rëndë trupor’. 41-vjeçari u kap në fshatin Dubravë dhe më pas u dërgua në vuajtje të dënimit në Hajvali.

Në vuajtje të dënimit është dërguar edhe një i ri nga fshati Jezerc. 27-vjeçari po kërkohej me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Ferizaj, pasi ishte dënuar për veprën penale ‘Vjedhje e pyllit’.

Po ashtu është arrestuar edhe një 47-vjeçar në fshatin Tërstenik të Drenasit, i cili më pas është dërguar në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë.

Në prangat e Policisë ka rënë dje edhe një i kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë. 38-vjeçari është arrestuar në Fushë Kosovë dhe më pas është dërguar në vuajtje të dënimit në Smrekonicë.