Foto ilustrim

Policia e Kosovës ka dhënë detajet e plagosjes së mbrëmshme në Prishtinë, ku në një lokal ka pasur të shtëna me armë zjarri dhe si pasojë është plagosur Osman Pacolli, vëllai i Rrahim Pacolli, sekretar organizativ në Aleancën për Kosovë të Re.

Policia njofton se i dyshuari për vrasjen në tentativë, A. M është në arrati.

“Mbrëmë rreth orës 24:00, policia ka marrë informacionin se në rrugën ‘Enver Maloku’ në Prishtinë, saktësisht në një lokal ka pasur të shtëna me armë zjarri. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes”, thuhet në njoftim.

Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëj me vrasje në tentativë ku nga arma e zjarrit ka marrë plagë viktima: O. P, mashkull, 33 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili menjëherë është dërguar për trajtim mjekësor.

Lidhur me rastin në fjalë policia ka identifikuar personin e dyshuar: A. M, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës i cili aktualisht ndodhet në arrati.