Dje Naser Murselaj, 32 vjeç, është gjetur i vrarë në oborrin e shtëpisë së tij në Qifllak të Rahovecit. Për vrasjen që sipas familjarëve mund të jetë kryer në ndonjë lokacion tjetër pastaj të riun e kanë sjellë pa shenja jete në oborr të shtëpisë, policia nuk e di motivin dhe as autorin. Deri më tani janë intervistuar disa persona.
Autori i vrasjes së Naser Muselajt është ende i lirë. Deri më tani janë intervistuar disa persona por nuk është identifikuar asnjë i dyshuar, ka konfirmuar policia për Gazetën Express.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, respektivisht Sektori Rajonal për Hetime nga kjo Drejtori në bashkëpunim me prokurorin e çështjes janë duke punuar intensivisht për zbardhjen e rrethanave të krijuara në këtë rast. Meqenëse jemi në fazën fillestare të hetimeve deri më tani kemi intervistuar disa persona por akoma nuk kemi arritur të identifikojmë kryesin e mundshëm të kësaj vepre. Po ashtu deri më tani nuk dihet motivi i vrasjes”, tha Lirije Podrimaj, zëdhënëse në policinë rajonale të Gjakovës.
Vrasja e Naser Murselajn ka mbetur mister edhe për familjen. Në një bisedë për Gazetën Express, familjarët e tij thanë se familja nuk ka ndonjë person që dyshon se mund t’ia ketë marrë jetën 32 vjeçarit.
Djali i axhës së Naserit, Xhaviti, tha se krimi mund të jetë kryer jashtë oborrit të shtëpisë, sepse në vendin e ngjarjes (ku 32-vjeçari është gjetur i vdekur), nuk janë parë shenja të gjakut. Familja s’ka dëgjuar as krisma të plumbave.
Familja ka mohuar se Naseri ka qenë i futur në ndonjë problem, pasi për të thanë se ka qenë i pa fjalë, i kulturuar dhe punëtor.
Vrasja e Naser Murselajt është e 14-ta me radhë brenda këtij viti në Kosovë