Mjete të pashpërthyera janë gjetur në kulmin e shkollës fillore “Shaban Shala” në Podujevë, raporton Llapi.info.

Në to kanë hasur fillimisht disa punëtorë, të cilit po kryenin punimet e nisur për rregullimin e këtij kulmi të kësaj shkolle në qendër të Podujevës.

Për këtë, procesi mësimor është pezulluar sot, ndërkohë që as nesër nxënësit e kësaj shkolle nuk do t’i vijojnë mësimet. Kështu ka njoftuar shkolla në një postim në Facebook.

“Të dashur nxënës, mësimdhënës dhe prindër të respektuar! Njësia për deminim e Policisë së Kosovës kanë shikuar hapësirat e çatisë së shkollës dhe nuk kanë identifikuar objekte tjera të panjohura. Kemi bërë kërkesë edhe te ekipet për deminim të FSK-së të cilët do të bëjnë ekzaminim më të detajuar. Mësimi nuk do të zhvillohet as nesër më datë 06.05.2022 (e premte). Mësimi do të vazhdoj më datën 10.05.2022 (e martë)”, thuhet në njoftim.

Llapi.info ka raportuar edhe dje në lidhje me këtë çështje, derisa rastin e ka konfirmuar për portalin edhe drejtori i Arsimit, Avni Fetahu./Llapi.info