Një seancë e jashtëzakonshme, e thirur nga 13 këshilltarë komunalë, është mbajtur në gjysmë sot në Kuvendin e Komunës së Podujevës, shkruan Llapi.info.

Në këtë seancë pikë e rendit të ditës ishte vetëm gjendja në arsim, por që debati eskaloi kur këshilltari i LDK-së, Ekrem Rrahmani, hodhi ujë në drejtim të Drejtorit të Arsimit, Avni Fetahu.

Para kësaj mbledhje, pikërisht këshilltarët e LDK-së, kishin vendosur disa fotografi, ku krahasonin drejtorin Fetahu me Adem Grabovcin.

“Punësimin e dhjetëra familjarëve dhe militantëve të LVV-ës në arsim pa zhvilluar procedura konkursi, kuvendarët e LDK-së e krahasuan me skandalin “Pronto” që për protagonist kryesor kishte Adem Grabovcin, ndërsa në rastin e Komunës së Podujevës, protagonist është drejtori i arsimit, Avni Fetahu”, thuhet në njoftimin e LDK-së në Podujevë.

Kurse, për sulmin me ujë ndaj drejtorit të Arsimit, Avni Fetahu, ka reaguar partia që udhëheq me Podujevën, Lëvizja Vetëvendosje, duke thënë se sjellja e asamblistit Ekrem Rrahmani është e papranueshme.

“Kjo nuk është hera e parë që asamblisti Rrahmani bën sjellje që nuk përkojnë me kulturën parlamentare. Këshilltarët me sjellje të tilla arrogante e vulgare nuk kanë vend në Kuvendin Komunal të Podujevës”, thuhet në reagimin e VV-së, në Podujevë.

Ata kërkuan që grupi i asamblistëve të LDK-së në Podujevë të distancohen nga veprimet e Rrahmanit.

Në sallë u kthyen vetëm këshilltarët e LDK-së pas pauzës së kërkuar nga Kryetari i Kuvendit, Hilmi Hoxha, për çka edhe u mbyll kjo seancë./Llapi.info

Eskalon situata në Kuvendin Komunal të Podujevës, Ekrem Rrahmani i LDK-së e lagë me ujë Avni Fetahun (Video)