Procesi i emërtimit të rrugëve ka ngecur krejtësisht në komunën e Podujevës. Projekti ka kohë që ka nisur, por punët nuk janë kryer ende.

Komuna fajëson për këtë kompaninë që po i kryen punët. Por me të shqetësuarit mbesin qytetarët. Ata thonë se po e kanë të vështir orientimin sidomos nëpër rrugica dhe fshatra, shkruan gazeta Fjala.

“Që nga paslufta ka rrugë që kanë mbetur pa tabela. Nuk po kemi qysh me i orientu sidomos vizitorët”, ka thënë për Gazetën, i indinjuar një qytetar.

Ndërkohë projekti për emërtimin e rrugëve në këtë komunë ka një kohë të gjatë që ka filluar.

Finalizimi i tij nuk është bërë ende dhe shumica e rrugëve, sidomos nëpër fshatra, ende mbetën të pa emërtuara.

“Projekti i vendosjes së tabelave me emrat e rrugëve në Komunën e Podujevës është duke u realizuar. Mirëpo është e vërtetë se ka vonesa në realizimin e këtij projekti me fajin e kompanisë “Viva Print”, e cila është kontraktuar nga Agjencioni Kadastral i Kosovës”, ka thënë shef i Zyrës për Informim në Komunën e Podujevës, Nazmi Elezi.

Sipas Elezit, kompania në fjalë, për një periudhë kohore ka pasur mungesë të materialit-tabelave, prandaj ka pasur ngecje në vendosjen e tabelave. Në projektin e paraparë për komunën e Podujevës, parashihet të emërtohen rreth 1200 rrugë.

Ndërsa me realizimin e këtij projekti qytetarët do ta kishin më të lehtë qasje në shërbime publike, transport, navigacion.

Procesi i emërtimit të rrugëve ka nisur në vitin 2014, i paraparë që të përfundonte më 2015, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Ndryshe emërtimi i rrugëve është njëri ndër kushtet për liberalizimin e vizave.