Këshilltarët opozitarë të Podujevës janë shprehur kundër dhënies e poronës publike pa pagesë kompanisë KEDS për të vendosur dy trafostacione në dy fshatra të këtij qyteti.

Kritika të ashpra janë bërë në adresë të ekzekutivit të Komunës së Podujevës nga këshilltarët e PDK-së, LVV-së e AAK-së kur është folur për dhënien e pronës publika pa pagesë kompanisë KEDS. Ata kanë qenë kundër ndryshimit të vendimit që më herët ishte miratuar në të njëjtin Kuvend. Këshilltari nga radhët e PDK-së, Rafet Llapashtica, ka thënë se në një seancë më herët unanimisht dhe me rekomandim edhe të drejtorit për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi, Abaz Llugaliu, ishte votuar që kompania KEDS të paguante 2.5 euro për metër katror për vendosjen e trafostacioneve.
“E ka miratuar partia juaj dhe tash e keni sjellë një vendim të ri të kryetarit, që ta ka rrëzuar vendimin e mëhershëm ku kësaj kompanie i jepet për 99 vjet pa pagesë prona publike në shfrytëzim. Edhe për 40 vjet që ka ardhur prej Komitetit për Politikë dhe Financa nuk është as vendim afatshkurtër, as afatmesëm e as afatgjatë”, ka theksuar Llapashtica.
Edhe këshilltari nga lëvizja “Vetëvendosje”, Bahri Selimi, tha se është mirë që prona publike t’u jepet në shfrytëzim në Letanc ndonjë rasti social që të hap ndonjë kiosk, sesa KEDS-it. Edhe afati prej 99 vjetësh është shqetësues”, tha Selimi.
Kundër kanë qenë edhe këshilltari i AAK-së, Lutfi Rexhepi dhe ai i LB-së, Nexhat Llumnica. Sipas tyre, KEDS-i është kompani profitabile dhe nuk ështe e arsyeshme që t’i falet prona publike.
Ndërsa, drejtori për Pronë, Gjeodezi dhe Kadastër, Abaz Llugaliu, tha se janë disa prona publike të cilat nuk janë në shfrytëzim, andaj, është mirë që ato prona t’i japim në shfrytëzim kompanive që i plotësojn kërkesat e qytetarëve.
“Banorët e fshatit Lupç dhe Letanc të Podujevës kanë kërkuar nga kompania KEDS që të vendosen trafo në fshatrat e tyre. Kështu që, kompania KEDS na është drejtuar që t’i japim në shfrytëzim një pjesë të pronës publike që t’i vendosin trafot”, tha Llugaliu. Sipas tij, sipas një rregulloreje të Qeverisë atyre u lejohet që të japin pronën publike dhe me pagesë edhe pa pagesë./llapi.info