Muzikantja dhe tekstshkruesja angleze, PJ Harvey, në dhjetor të vitit 2015 kishte qenë për të dytën herë në Kosovë. Ky mision faktmbledhës do t’i jepte shkëndija frymëzimit për albumin që do ta realizonte një vit më vonë “The Hope Six Demolition Project”.

Gjatë kohës së qëndrimit në Kosovë, ajo kishte mbajtur ditar për udhëtimet e saj ashtu që mendimet e kundrimet e saj u përshtatën edhe në një radiodramë që u shfaq në BBC. “On Kosovo Field” ishte shkruar prej Fin Kennedyt dhe shpaloste rrëfimin e dy fëmijëve të lindur në Kosovë, të rritur në Manchester, që rikthehen në vendlindje pasi e marrin vesh se një varrezë masive është zbuluar afër shtëpisë së tyre. Rrëfyer nëpërmjet pesë episodeve dhe me emetimin e këngëve në version demo të thurura nga Harvey në rrëfim, programi kishte përfshirë ish-aktoren e “Coronation Street”, Michelle Keegan dhe Nico Mirallegro të “Mad Fat Dairy”.

Ndërkaq filmi “A Dog Called Money”, me skenar dhe regji të fotogazetarit të njohur Seamus Murphy, qëmton udhëtimet e Murphyt dhe Harveyt përmes Washingtonit, Kosovës dhe Afganistanit. Prej tyre u përftua jo vetëm albumi, por edhe projekte të tjera bashkëpunuese përfshirë edhe “The Hollow of the Hand”, një libër 224-faqesh që paraqet poezitë e Harveyt përkrah fotografive të Murphyt.

Dyshja Murphy-Harvey kanë punuar bashkërisht më 2011, kur Murphy bëri videot për 12 këngët e saj në albumin e saj të vlerësuar “Let England Shake”.

Edicioni i 10-të i festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” ishte bërë sebep që Harvey të vinte në Kosovë më 2011. Aty ajo kishte shpalosur albumin e tetë të saj “Let England Shake”.

Asokohe në një intervistë për Kohavision dhe “Koha Ditore”, artistja britanike kishte premtuar se do të rikthehej me një koncert në Kosovë. Gjatë bisedës fituesja e dyfishtë e “Mercury Prize” kishte thënë se i ka pëlqyer Prizreni dhe shfaqja e filmave në kinema të hapur… (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)