Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, se ka planifikuar konflikti të rëndë në prag të së cilit, sipas tij është vënë situata në veri të Kosovës të dielën, shkroi të hënën mediumi serb “Kosovo Online”.
Petkoviq ka pretenduar se situata e krijuar gjatë mbrëmjes të së dielës është planifikuar nga Prishtina që “ka akuzuar rrejshëm Beogradin se dëshiron konflikt dhe destabilizimin e Ballkanit Perëndimor”.
“Kjo agoni dyditore dhe kriza e rëndë në të cilën Albin Kurti dhe Prishtina na futi të gjithëve tregon të gjitha dimensionet e militantizmit të atij njeriu, tregon se sa i rrezikshëm është ai, por edhe se kërcënimi ndaj serbëve në veri të Kosovës dhe Metohisë nuk është ndalur”, tha Petkoviq në një konferencë shtypi.
Në këtë adresim, Petkoviq shtoi se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, “gjatë gjithë kohës i ka bërë thirrje përfaqësuesve të QUINT-it të reagojnë.
“Mbrëmë ishim në prag të konflikteve të rënda dhe ju e dini çfarë do të thotë, nëse mbi 100 forca speciale Rosu, të armatosur deri në dhëmbë, me mjete të blinduara dhe topa uji, ishin gati të pushtonin, dhe plani i tyre ishte të pushtonin. Ata po bëjnë llogari me popullin serb, i cili mbrojti të drejtën e lirisë së lëvizjes dhe mbijetesës”, tha Petkoviq. “Duke akuzuar Beogradin, se duam konflikte, se duam të pushtojmë Kosovën dhe Maqedoninë për të destabilizuar zonën e Ballkanit Perëndimor. Këto janë gënjeshtra”, shtoi ai.
Sipas Petkoviqit, po të donte Serbia konflikt, populli serb nuk do të bënte tërheqje të barrikadave.