Menjëherë pas intervistës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se tensionet në Veri ishin afër të përshkallëzoheshin në konflikt të armatosur, ka reaguar drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.“Kurti hapur do luftë, jo dialog dhe marrëveshje”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook. “Por, ai do ta marrë mësimin nga presidenti Vuçiç”.

Duke analizuar intervistën e fundit të kryeministrit të Kosovës, Petkoviç pohon se tashmë për të është e qartë çfarë realisht do Kurti.“Nëse Kurti publikisht e konfirmon se Asociacioni i Komunave Serbe nuk do të formohet kurrë, dhe se serbët duhet ta pranojnë vendimin e njëanshëm e të dhunshëm, për targat e letrat e identifikimit, është e qartë për të gjithë se Kurti po thërret për konflikt në Kosovë”, thotë ai, përkundër se është vetë Serbia që nuk zbaton shumicën e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe njëanshëm kishte vendosur regjim për të mos i njohur kartat e identitetit të Kosovës.

Sipas nëpunësit të Vuçiç-it, Kurti në disa intervistat e fundit po e përgatit terrenin për këtë agjendë të tij.“Prandaj në çdo deklarim të tij Kurti shpikë influenca ruse, sepse ai do jo vetëm ta sulmojë Beogradin, por gjithashtu të justifikojë vendimet e ardhshme të njëanshme dhe aksionet e dhunshme kundër popullit serb”, shkruan ai.

“Beogradi, të udhëhequr nga presidenti Aleksandër Vuçiç, do të vazhdojnë të mirëmbajnë paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi dhe do të kërkojnë zgjidhje të të gjitha krizave përmes dialogut dhe bisedës”, thotë ai.“Tentimet e Kosovës për të imponuar agjenda të bisedimeve në Bruksel me ëndrra për ‘njohje reciproke’ nuk janë asgjë pos taktika për ta shkatërruar dialogun para se ai të fillojë”.

Por, Petkoviç thotë të jetë i bindur që “Kurti në Bruksel do të marrë përgjigjen e merituar për thirrjet e tij militante për luftë nga presidenti Vuçiç”.“Çfarë Kurti e di mirë, por s’mund ta thotë publikisht, është se serbët në Kosovë e konsiderojnë atë direkt përgjegjës për ngacmimet, incidentet, padrejtësitë, pengesat në lirinë e lëvizjes dhe të tjera akte jo demokratike”.

“Prandaj, rezistenca e tyre dhe revolta është rezultat i aksioneve joligjore, të njëanshme dhe të dhunshme të Kurtit dhe disa agjendave nga jashtë”.Petkoviç në fund tregohet kontradiktor. Derisa fillimisht e bën fajtor Kurtin, më pas shkruan se ai thjesht po zbaton agjenda të dikujt tjetër.

“Fakti se Kurti ka mësuar të luajë sipas direktivave të të tjerëve dhe se fati i tij është i lidhur nga ambasadat e huaja, është problemi i tij. Serbët janë popull i lirë, që nuk duan të dorëzojnë të drejtat e tyre në duart e askujt tjetër”.