Fitorja ndaj Besës, të shtunën në Podujevë, për Llapin e sidomos trajnerin e saj, Tahir Batatina, nuk është vetëm synim – por edhe obligim. Ai ende mban inat me Besën, që sipas tij në bashkëpunim me Prishtinën lanë Llapin pa dalje në garat evropiane, shkruan sot Koha Ditore.

Në maj, Besa kishte mposhtur Llapin në finale të Kupës dhe me këtë e la pa dalje në Evropë. Vetë Besa nuk ishte e licencuar për gara evropiane dhe në fund, në vend të saj, pjesëmarrjen në Ligën e Evropës e siguroi Prishtina si nënkampione.

Batatina kishte akuzuar Besën se luftoi për Prishtinën, meqë vetë nuk kishte licencë. Ai madje e pati kërcënuar Besën pas ndeshjes finale se do të vijë një moment “kur do ta shkelë” atë.