Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, priti në takim me drejtorin për investime në KEDS, Hasan OZ, me të cilin diskutuan për investimet e planifikuara në rrjetin elektrik për vitin 2018 në Komunën e Podujevës, transmeton Llapi.info.

Në takim me drejtorin e investimeve në KEDS, Hasan OZ, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu ka theksuar nevojën e madhe për investime në rrjetin elektrik, duke potencuar se komuna e Podujevës është më e madhja për nga territori në vend dhe ka një rrjet të vjetruar elektrik, i cili kërkon intervenim në afat sa më të shkurtër kohor.

Ndërsa, drejtori i investimeve në KEDS, Hasan.OZ, e ka siguruar Veliun, se kjo kompani gjatë vitit 2018 ka planifikuar investime në rrjetin elektrik në vlerë mbi 7 milionë euro.
OZ tha se gjatë këtij viti KEDS ka paraparë investime në rrjetin elektrik në fshatra dhe në disa pjesë të qytetit.

Veliu porositi drejtuesin e KEDS-it, që të kenë kujdes dhe t’i përmbahen marrëveshjeve me komunën për realizimin e investimeve, në mënyrë që gjatë kryerjes së punimeve të mos shkaktohen dëme në infrastrukturën rrugore.

Gjithashtu, Veliu ka shprehur gatishmërinë e ekzekutivit të Podujevës për të bashkëpunuar ngushtë në realizimin me sukses të këtyre investimeve, që do të zgjidhin problemin e furnizimit me energji elektrike për qytetarët llapjanë./Llapi.info