​Adem Grabovci, Zenun Pajaziti, Besim Beqaj dhe tetë njerëzit tjerë të PDK’së të akuzuar në aferën e njohur si “Pronto”, mund të dënohen maksimumi deri në 5 vite burgim nga gjykata. Aktakuza ndaj tyre është ngritur të premten nga Prokuroria Speciale.

Punësimet në bazë të nepotizmit e bindjeve politike, që përbëjnë vepër penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”, sipas Kodit Penal janë të dënueshme maksimumi deri në 5 vite burgim, raporton Gazeta Express.

Për këtë vepër penale, nga e premtja, kanë të ngritur aktakuzë 11 zyrtarë dhe njerëz të afërt të PDK’së. Në mesin e tyre është personazhi kryesor i aferës “Pronto” Adem Grabovci, pasuesi i tij si shef i grupit parlamentar të PDK’së Zenun Pajaziti, Ministri i Inovacionit Besim Beqaj dhe zyrtarët tjerë të PDK’së Fatmir Shurdhaj, Njazi Kryeziu, Sedat Gashi etj.

Kodi Penal i Kosovës parasheh se kushdo që në cilësinë e personit zyrtarë shkel nenin 193 të këtij kodi, që përben veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”, dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 5 vite, shkruan Gazeta Express.

“Kur vepra penale nga paragrafi 1. dhe 2. i këtij neni kryhet nga personi zyrtar me keqpërdorim të pozitës apo autorizimeve të tij, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet”, sanksionon paragrafi 4 i Neni 193 të KPRK’së.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale 11 të akuzuarit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.

Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.