Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka bërë të ditur se kryetarët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë kanë dalë me një deklaratë të përbashkët.

Ai ka thënë se do të vendosin reciprocitet në veri të vendit nëse Qeveria e Kosovës nuk e lejon mbajtjen e zgjedhjeve serbe të 3 prillit.

Rakiq, kur u pyet se për çfarë reciprociteti bëhet fjalë, pohoi se nuk mund të përgjigjet për këtë.

Sipas tij, ky lloj reciprociteti do të bëhet vetëm në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potoku, Leposaviqit dhe Zveçanit, duke shtuar se më pas do të vendoset edhe në komunat tjera.

Një grup serbësh janë mbledhur në Mitrovicën Veriore për të kundërshtuar mosmbajtjen e referendumit serb në Republikën e Kosovës. Policia ka konfirmuar për Express se tubimi i tyre ka përfunduar dhe aty nuk është shënuar ndonjë incident.

Në mesin e personave që u panë në këtë tubim janë ministri Goran Rakiq, deputeti Igor Simiq, si dhe kryetarët e komunave veriore të vendit.

Gjatë kësaj kohe, serbët kanë vendosur një kuti votimi në qendër të qytetit si performancë, ku kanë “votuar” disa nga të pranishmit.

Mbrëmë vonë, Komisioni i Zgjedhjeve atje ka marrë vendim që serbët e Kosovës të votojnë në katër qytete të Serbisë si: Kurshumlia, Rashkë, Novi Pazar dhe Vranjë, kjo pasi Kosova nuk lejoi mbajtjen e referendimit serb në Republikën e Kosovës.

Për këtë çështje Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutë kundër mbajtjes së këtij referendumi.