Një taskë-forcë e krijuar nga Ministria e Infrastrukturës po përpiqet t`i identifikojë akset rrugore ku po shkaktohen aksidente më të shumta.

Kështu ka bërë të ditur të premten ministri Pal Lekaj në një tryezë të organizuar nga kolegji “Tempulli”, mbajtur në Ditën Evropiane “Pa viktima në rrugë”.

“Lajmet për aksidentet e shkaktuara në trafik na shqetësojnë të gjithëve. Që nga marrja e mandatit si ministër i Infrastrukturës prioritet imi ka qenë krijimi i sigurisë në komunikacion. Kjo siguri arrihet me ndërtimin e rrugëve me standarde të larta, por ne nuk do të mjaftohemi me kaq. E kam krijuar edhe task-forcën për siguri në komunikacionin me ekspertë të Ministrisë dhe ekspertë të jashtëm të fushave përkatëse”, ka thënë Lekaj.

Sipas tij, ku ekspertët t`i identifikojnë akset rrugore ku ka shumë aksidente do të dilet me rekomandime për të ofruar zgjidhje konkrete lidhur me zvogëlimin e numrit të aksidenteve në rrugë.

“Sipas raporteve të ministrisë sonë, mund të them se ka shenja pozitive për rënie të aksidenteve nga krahasuar me vitin e kaluar. Numri i aksidenteve për periudhën janar-gusht të këtij viti ka rënë për rreth 13 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, përqindja e aksidenteve me fatalitet është zvogëluar për 17 për qind“, ka bërë të ditur Lekaj.

Në këtë kontekst, ai ka ftuar për kujdes ndaj rrugëve dhe mbrojtjen e tyre nga dëmtimet.

“Me këtë nënkuptohet mos dëmtimi i brezit rrugor, të mos prishen: sinjalizimi, ndriçimi, pahitë elastike- mbrojtëse, të kryhen kontrollimet teknike me rregull, dhe shumë veprime të tjera, Policia e Kosovës të jetë më shumë edukuese se sa ndëshkuese. Në këtë drejtim ne kemi miratuar disa udhëzime administrative, për nivelin e edukimit të ngasësve dhe po ashtu, rikategorizimin e rrugëve, që t’i marrim edhe disa rrugë nën përgjegjësinë e ministrisë, në mënyrë që të sinjalizohen dhe të rindërtohen”, ka thënë Lekaj.