“Agim Veliu pas 18 vjetësh me një klip të cilin e përdor për kohë fushate mendon se do të bindë elektoratin duke shfrytëzuar emrat e Heronjëve të Kombit.”

Kështu e ka filluar një komunikatë për medie Partia Demokratike e Kosovës- dega në Podujevë, duke e quajtur kryetarin e tanishëm të Podujevës, Agim Veliun si person i cili mjetet e taksapaguesve llapjanë të dedikuara për bazamentin e shtatoreve, i ka ridestinuar për fushatë elektorale, transmeton Llap.info

Sipas PDK- së, shtatoret e heronjve të cilat do duhej vendoseshin në sheshin e qytetit, Veliu gjatë mandatit të tij këtë shesh e shfrytëzoi për interesa biznesi, duke e shndërruar në kafiteri për makiato.

Më poshtë ja edhe komunikata e plotë e PDK- së:

Shtatoret në shesh-PO, Agim Veliu në pushtet-JO

A duhet me besu?! Agim Veliu pas 18 vjetësh me një klip të cilin e përdor për kohë fushate mendon se do të bindë elektoratin duke shfrytëzuar emrat e Heronjëve të Kombit.

I kujtojmë Agim Veliut se heronjtë ishin në kohën e duhur në vendin e duhur, ndërkaq për ne ishte dhe do të jetë obligim jetësor nderimi për ta. Po ashtu i rikujtojmë z. Veliut se shtatoret e heronjëve: Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha dhe Ilir Konushevci, me iniciativën e përfaqësuesve të degës së PDK-së, në Podujeve dhe me mbështetjen e Agjencionit për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, janë të kontraktuara dhe janë në përfundim, por ja që z. Veliu nuk e lejon vendosjen e tyre, ngase mjetet e taksapaguesve llapjan të dedikuara për bazamentin e këtyre shtatoreve, siç duket i ka ridestinuar për fushatë elektorale.

Njëjtë ka vepruar me mjete e dedikuara për shtatoren e Heroit te Kombit Ali Ajeti, të cilat janë të ndara në buxhetin e Komunës, por ai nuk ka vullnet politik për t’i realizuar këto shtatore.

Po ashtu, bëjmë me dije se mjetet e ndara për sheshin e qytetit, para pak kohësh i ka ridestinuar për blerjen e votës gjatë kohës së fushatës, duke shtruar rrugë me trashësi dy centimetra, ndërkaq tani premton mandatin e ardhshëm, të cilin nuk do të ketë mundësi ta arrij.

Sheshin ku është dashur të vendosen shtatoret e heronjëve tanë, qysh moti, Agim Veliu gjatë mandatit të tij e shfrytëzoi për interesa biznesi, duke e shndërruar në kafiteri për makiato.

Ne, Partia Demokratike, dega në Podujevë, nuk premtojmë por garantojmë se shtatoret e heronjëve tanë do të jenë në Sheshin e Dëshmorëve shumë shpejt dhe këtë do ta bëjë qeverisja e re komunale në krye me Hajredin Hysenin.

Partia Demokratike e Kosovës