Lokale - eSIMy

Gjatë udhëtimit me autobus për në fshatin Bardhosh të Prishtinës, një vajzë e mitur ishte përballur me një person i cili dyshohet se e ka sulmuar seksualisht. Për ngjarjen e cila kishte ndodhur në maj të këtij viti, Policia ishte në dijeni, me ç’rast kishin marrë veprimet hetimore për të identifikuar të dyshuarin, raporton Gazeta Sinjali.

Vajza 16-vjeçare kishte deklaruar në Polici se burri i moshës rreth 40-50-vjeçare e kishte sulmuar atë në autobus, mirëpo të njëjtin nuk e njihte dhe e kishte të pamundur ta identifikojë.

Sinjali mëson se pas katër muajsh hetime, i dyshuari i cili është 46-vjeçar, është arritur që të arrestohet gjatë ditës së djeshme dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor.

Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti ‘Sulm seksual’ dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.