“O a u vdekë bre, o ma mirë me vdekë edhe uneee..” – kështu pyeste e lutej një i ri i cili dyshohet se në orën e parë të së premtes shkaktoi një aksident në rrugën “Fahri Fazliu” në lagjen “Kodra e Trimave” në kryeqytet, ku pësoi me jetë një 19 vjeçar.

J.S nuk u mbijetoi plagëve të mara nga makina e cila e goditi atë teksa viktima ishte duke ecë trotuarit me një tjetër qytetar. Aksidenti sipas dëshmitarëve ndodhi për shkak të shpejtësisë së madhe të një veture e cila goditi dy makina të parkuara në trotuar e të cilat goditën për vdekje këmbësorin, njofton Klan Kosova.

I dyshuari për shkaktimin e aksidentit me urdhër të prokurorit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Por, fillimisht ai është trajtuar në emergjencën e QKUK-së, ku ka marë trajtim për shkak të shokut traumatik që e ka pësuar nga ngjarja.

Mjekja e cila e ka trajtuar, Krenare Makolli, i tha Klan Kosovës përmes telefonit se i dyshuari është pranuar në gjendje të rëndë psikike dhe është këshilluar policia që në rast se nuk i përmisohet gjendja të dërgohet në psikiatri.

Banorët e lagjes “Kodra e Trimave” të tronditur nga ngjarja, kritikuan komunën se nuk e ka bërë shenjëzimin horizontal e vertikal të rrugëve, e cila do të parandalonte aksidentet. Sipas tyre, shpejtësia e lejuar në këtë zonë është 40 km/h ndërsa vozitësit ngasin makinat mbi 100km/h, për çka, sipas tyre, aksidentet këtu janë të shpeshta.