Deputetët e Parlamentit Evropian e kanë miratuar raportin për Kosovën. Ata e vlerësuan “stabilitetin e shtuar politik të Kosovës dhe përkushtimin e fuqishëm të saj në rrugën evropiane”. Ata gjithashtu e përsëritën thirrjen që shtetet e BE-së urgjentisht ta miratojnë regjimin pa viza për qytetarët e Kosovës.

“Çfarëdo vonese e mëtejme do t’i minonte besueshmërinë dhe reputacionin e BE-së si partner i besueshëm”, thuhet në një deklaratë të publikuar në uebfaqen zyrtare të Parlamentit Evropian.

Raporti u miratua me 469 vota për, 96 kundër dhe 72 abstenime dhe me të rikonfirmohet përkrahja e Parlamentit Evropian për dialogun Prishtinë – Beograd dhe ritheksohet rëndësia e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme të normalizimit, “që është jetike për Serbinë dhe Kosovën për të avancuar në rrugën evropiane, që do të kontribuojë në stabilitetin dhe mirëqenien rajonale”.

“Duke e mirëpritur radhitjen e Kosovës me BE-në për sanksionet kundër Rusisë dhe solidarizimin e saj të fuqishëm me Ukrainën, deputetët gjithashtu theksojnë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe u bëjnë thirrje vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur vendin që ta bëjnë këtë menjëherë”, thuhet në deklaratë.

Raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, tha: “Kosova vazhdimisht e ka dëshmuar zotimin e saj për t’i avancuar reformat e lidhura me BE-në dhe e ka pozicionuar veten si partnere shumë e besueshme, e ankoruar thellësisht në aleancën evropiane dhe transatlantike. Fatkeqësisht, BE-ja ka dështuar që ta përmbushë premtimin tonë për t’u ofruar udhëtim pa viza, shumë të vonuar, qytetarëve të Kosovës. Vërtet shpresoj që ky do të jetë raporti i fundit ku përmendët ky dështim.”/Nacionale