Gazeta Sinjali raportoi sot ekskluzivisht për një grabitje të armatosur që ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në Prizren, ku një person nën kërcënimin e armës automatike ka grabitur rreth 3 mijë euro në pompën e derivateve ‘Exfis’ në fshatin Piranë në Prizren.

Gazeta Sinjali ka siguruar pamje ekskluzive nga momenti i grabitjes, teksa shihet hajni duke hyrë në pompën e derivateve me kallash në dorë.

Posa hyn në pompën e derivateve, nën kërcënimin e armës, hani i jep një qese plastike shitësit, i cili për pak minuta ia mbush me para.

Sipas pamjeve të siguruara nga Sinjali, menjëherë pasi i dyshuari merr paratë, zhduket nga vendi i ngjarjes.

Në vazhdën e veprimeve policore për kapjen e të dyshuarit për grabitjen e armatosur në ‘Exfis’, siç mëson Sinjali, Policia ka realizuar një bastisje sot pasdite në një shtëpi dhe objektet përcjellës në fshatin Piranë të Prizrenit.

Sinjali mëson gjithashtu se forca të shumta policore në përbërje prej njësisë speciale e hetuesve policor të shoqëruar edhe nga Policia patrulluese janë parë sot në fshatin Piranë, ku kanë realizuar bastisje me qëllim të sigurimit të provave që shpien në zbardhjen e rastit të grabitjes.