Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka pritur sot homologun e tij shqiptar, Ditmir Bushati, ku është diskutuar për fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi.

“Kam kërkuar që Shqipëria të mos jetë duarkryq në këtë proces por të jetë pjesë përbërëse e synimit tonë. Synimi ynë është dialogu me Serbinë. Shqipëria të jetë aty. Nëse mundet BE dhe SHBA të jenë prezentë, pse jo Shqipëria?!”, tha Pacolli.

“Këtë vit përpjekjet tona janë që Kosova të arrijë synimin e saj për lëvizje të lirë dhe në këtë drejtim kërkojmë përkrahje edhe nga Shqipëria”, ka thënë Pacolli pas takimit me Bushatin.

“Ne bashkë me Bushatin do të udhëtojmë në New York ku do të kemi shumë takime të përbashkëta që lidhen më çështjen e liberalizimit të vizave”.

Bushati në anën tjetër ka thënë se nuk do të mungojë përkrahja e Shqipërisë për këtë proces.

“Unë jam i sigurt, që kjo sfidë do të kalohet dhe Kosova do të përfshihet në listën e bardh të Shengenit. Tani nuk ka më asnjë justifikim për të mos u kryer ky proces”, tha ai.

Dy homologët shqiptarë kanë folur edhe për procesin e dialogut me Serbinë dhe janë pajtuar që sa më shpejtë të arrihet marrëveshja përfundimtare, e cila sipas tyre nuk duhet të cenojë territorin e Kosovës.

“Kam kërkuar nga pala shqiptare që të mos qëndrojnë duarkryq, por të na ndihmojnë. Shqipëria mund të jap kontribut shumë të madh”, ka thënë Pacolli.

Pacolli dhe Bushati kanë diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve sidomos në fushën e ekonomisë.

Kryediplomati shqiptar po zhvillon takime me krerët e institucioneve të Kosovës.

Serbia ka kohë që kërkon që dialogun për Kosovën ta bëjë me Shqipërinë