Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka thënë se në takimin e ftuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marrë pjesë në cilësinë e kryetares së Kuvendit.

Ajo thotë se në takim kanë folur për masat e Qeverisë për tejkalimin e situatës me pandeminë.

“Sot jam ftuar në takimin e organizuar nga Qeveria për bashkëpunimin ndërinstitucional dhe partiak që ka të bëjë me menaxhimin e pandemisë. Kam marrë pjesë si kryetare e Kuvendit, aty kemi dëgjuar për masat e marra deri më tani, po ashtu i kam informuar të pranishmit për përpjekjet e Kuvendit që kemi bërë në këtë drejtim. Aty janë nismat legjislative, pastaj kemi pasur kontakte me disa komuna dhe ministritë, kërkesat që kanë ardhur nga disa komuna”, ka thënë ajo.

Osmani duke folur për ndihmën e Serbisë ajo ka thënë se kanë kërkuar nga Vitia informata se si qëndron situata me teste.

Sipas saj, nga Vitia është informuar se Qeveria ka porositur mbi 13 mijë teste që pritet të vijnë.

“Nuk do të dua që sot të flas për çështje politike kur qëllimi i vetëm i pjesëmarrjes në takim është bashkëpunimi institucional për kalimin e pandemisë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, krimet e kryera nga Serbia janë të njohura nga gjithë bota dhe ndihma e dërguar nuk e shlyen të kaluarën.

“Unë besoj që jo vetëm ne në Kosovë por e gjitha bota e ka të qartë se cilat janë krimet që ka kryer Serbia në Kosovë dhe Serbia tani në këtë kohë të pandemisë edhe mund të ketë dërguar ndihma por kjo nuk e shlyen të kaluarën e afërt”, ka thënë ajo.