Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në Ditën Kombëtare të të Pagjeturve, kanë vendosur kurora me lule në memorialin që ndodhet në oborrin e Kuvendit të Kosovës, ka bërë të ditur Zyra për informim e Kuvendit.

Sipas njoftimit, Osmani ka thënë se tash e 21 vjet, qytetarët e Republikës së Kosovës jetojnë me dhimbjen për më të dashurit e tyre.

“Tash e 21 vjet shumë familje vazhdojnë të jetojnë me kujtimin për ta në një dhimbje të përhershme; ato zgjohen me shpresën për një lajm, me lutjen për ta kuptuar të vërtetën dhe për t’i pasur afër të dashurit, ose varrin e tyre. Por, përtej shpresës së tyre, ne duhet të kuptojmë se kjo është një e drejtë elementare e tyre. Ata kanë të drejtë të dinë për fatin e më të dashurve të tyre dhe ne duhet t’ua sigurojmë këtë të drejtë”, ka thënë Osmani.

Sipas saj, çështja e personave të zhdukur nuk është vetëm çështje e fatit njerëzor.

“Ajo, për më tepër, është çështje e të drejtave të njeriut. Mbajtja peng e fatit të tyre është dhunim i të drejtave të njeriut, jo vetëm ndaj viktimave, por edhe ndaj familjeve të tyre e ndaj vendit tonë. Familjet kanë të drejtë të dinë për fatin e tyre. Prandaj, ne sot u bëjmë thirrje institucioneve të vendit, mekanizmave ndërkombëtarë, që ta trajtojnë me seriozitet dhe ta cilësojnë prioritare zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Ne nuk mund ta heshtim krimin ndaj njerëzimit e as ta amnistojmë atë. Serbia është përgjegjëse për fatin e tyre, ndaj kjo çështje duhet adresuar sa më parë për ta përmbyllur këtë kapitull të dhimbshëm për familjet që po presin”, ka thënë Osmani.

Çështja e të pagjeturve, sipas Osmanit nuk është vetëm plagë e familjeve të të zhdukurve.

“Asnjë marrëveshje politike nuk mund të arrihet dhe nuk do të jetë e plotë nëse nuk ka krijuar drejtim të qartë për zbardhjen e fatit të të dashurve tanë”, ka shtuar Osmani.