Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, në forumin ‘”FOL Hapur”, të organizuar nga Lëvizja “FOL”, ka thënë se Kosova duhet të dëgjojë miqtë e saj, kur thonë se duhen rregulluar gjërat.
“Duhet të dëgjoni miqtë e Kosovës kur ne themi që ka ardhur koha të ndreqim këto gjëra sepse nuk kemi më durim për këto dukuri. Edhe kjo do të ishte më e rrezikshme, nuk është ndonjë deklaratë e ndonjë ambasadori. Por do të ishte kur ne nuk flasim më dhe harrojmë të merremi me Kosovën. Kosova ka nevojë për përkrahjen e Bashkësisë Ndërkombëtare dhe nëse kjo humbet do të ishte një problem jetik për Kosovën”, ka theksuar ai.
Ai ka thënë se ndryshimet janë të mundshme nga presioni qytetar.
“Ne e dimë që ndryshimet janë të mundshme, që presioni nga qytetarët është e vetmja mënyrë për të detyruar politikanët të marrin masa, që transparenca është shumë e rëndësishme, qasja e shoqërisë civile në të dhëna është shumë e rëndësishme dhe duhet të ofrohet. Transparenca është vetëm hapi i parë. Nëse njerëzit vazhdojnë të votojnë për partitë që shkelin ligje, që përfshijnë kriminelë, që keqpërdorin gjërat, që punësojnë njerëz bazë të partisë, edhe njerëzit nuk reagojnë, ne nuk kemi çfarë të bëjmë. Do të vijë dita kur ne do të kemi një vendim të vështirë për përkrahjen tonë për Kosovën”, ka theksuar ai, transmeton Telegrafi.
O’Connell ka thënë se nuk është detyra e tij të thërrasin protesta.
“Është detyra ime të them që Kosova do të edukohet jashtë Kosovës nga sjellja e Qeverisë, nga pranimi i qytetarëve për këtë sjellje. Nuk do të thotë që shqiptarët janë kriminelë, nuk e besoj, as nuk do të thotë se shqiptarët janë më kriminel se sa të tjerë. Por, kontrabandimi i drogës është bërë nga Shqipëria dhe nga Kosova nëpër Evropë, dhe e kanë bërë për shkak të diasporës, dislokimit të luftës. Nuk është thirrje për protestë, por vetëdijesim që krejt shoqëria gjykohet nga njerëzit që nuk kanë detyrë të kuptojnë çka është Kosova, çka janë shqiptarët. Kjo ndikon në politikë, në investime, në turizëm. Unë nuk di asnjë shembull nëpër botë ku këto probleme janë zgjidhur prej të huajve, duke ardhur prej jashtit për të rregulluar shtëpitë e tjerëve”, ka thënë ai.