Në mungesë të hapësirave brenda Shkollës së Mesme Ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë, katër paralele të kësaj shkolle duhet që mësimin ta mbajnë në Shkollën e Mesme Teknike “Fan S. Noli”

Por nxënësit e paraleleve 11/15, 11/14, 10/17 dhe 10/18 të shkollës ekonomike nuk po pranojnë që të dërgohen të mbajnë mësim në shkollën teknike. Ata, nëse detyrohen që të shkojnë në këtë shkollë, kanë kërcënuar me braktisje të mësimit, shkruan Llapi.info

E Komuna e Podujevës në një përgjigje elektronike për Llapi.info ka thënë se janë dakorduar me përfaqësues të këtyre katër paraleleve që mësimin ta vijojnë në Shkollën Teknike “Fan S.Noli”

“Drejtori i Arsimit në Komunën e Podujevës, Avni Maloku, ka pritur sot një grup nxënësish, përfaqësues të këtyre katër paraleleve të SH.M.E. “Isa Boletini”, të cilët janë pajtuar që të ndjekin mësimet në objektin e SH.M.T. “Fan S.Noli” thuhet në përgjigje.

Por përfaqësuesit e tyre, Valdrin Rrmoku dhe Ardian Kosumi, kanë mohuar të jenë marrë vesh me Drejtorin e Arsimit. Ata thanë se kërkesat e nxënësve janë që të kthehen në shkollën e tyre dhe në rast se nuk u përmbushen kërkesat, nxënësit e këtyre paraleleve do ta braktisin mësimin dhe do të hyjnë në grevë.

“Kërkesat tona si nxënës janë me na kthy në shkollën tonë në Ekonomik, mos me na en poshtë e lart. Neve na kanë thënë që një gjysmë vjetor kemi me ju mbajtë atje, kur shkuam na mbajtën edhe një vit. Na thanë kemi me ju kthye në klasë të 11- të dhe nuk na kanë kthyer. Nëse nuk na kthejnë në shkollën tonë, ne nuk mbajmë mësim, bëjmë grevë”, tha ai.

Drejtori i shkollës ekonomike, Fehmi Zeqiri, është shprehur i njohur me rastin dhe ka thënë se për këtë është njoftuar edhe Drejtoria e Arsimit qe një vit. Ai ka thënë se ata (Drejtoria e Arsimit) kanë insistuar që këta nxënës për mbajtje të mësimit të dërgohen në shkollën teknike “Fan S. Noli”.
Sipas Zeqirit, propozim i drejtorisë së shkollës që ai drejton ka qenë që këto paralele të dërgohen në shkollën fillore “Enver Maloku” apo në ndonjë shkollë tjetër dhe jo shkolla teknike.

“Niveli dhe mentaliteti është i tillë që dy shkollat kanë rivalitete njëra me tjetrën dhe mund të sjellin probleme të natyrave të ndryshme. Ka qenë kërkesë që të akomodohemi në një shkollë fillore e jo në shkolla të mesme duke pasur parasysh problemet që po dalin. Nuk është përjashtuar mundësia që edhe shkolla Enver Maloku të vihet në shfrytëzim për këta nxënës dhe edhe disa klasë tjera të cilat i kemi brenda shkollës por nuk ka hapësira të mjaftueshme”, tha Zeqiri duke shtuar se “ne edhe vitin e kaluar edhe këtë vit me kohë e kemi informuar drejtorinë e arsimit se shkolla ekonomike nuk posedon hapësira të mjaftueshme për kapacitetin e nxënësve të pranuar dhe insistimi i tyre ka qenë që këta nxënës të dërgohen në shkollën teknike gjë që vitin e kaluar kemi pasur vështirësi, jashtëzakonisht vështirësi me i bind që të shkojnë atje. Duke pasur parasysh se kemi thënë gjithherë që këta janë pjesë e shkollës tonë. Dhe duhet të jenë aneks i shkollës tonë. Kjo situatë është përsëritur prapë. Këtë vit për momentin së paku 4 paralele i kemi që nuk mund ti rehabilitojmë brenda shkollës dhe jemi të obliguar të kërkojmë lokale shtesë.”

Zeqiri tha se problemet e tilla është dashur që të zgjidhen në periudhën qershor- shtator e jo në kohën kur ka filluar mësimi./Llapi.info