Shpërndarja e një lajmi se “banorët e Batllavës janë të gëzuar dhe se kanë shfaqur gëzimin e tyre para kryetarit të Komunës së Podujevës, Agim Veliu për punët që po bëhen në lagjen e Statovcëve” ka ngjallur reagimin e disa prej banorëve të kësaj lagjeje, njofton Llapi.info.

Sipas tyre shkrimi i publikuar në një faqe në facebook me emrin “Podujeva PRESS” është shkrim në shërbim të kryetarit në ikje.

Dardanë Statovci banore e kësaj lagjeje përmes një postimi në facebook ka shkruar se “Unë jam njëri ndër banorët e kësaj lagjeje, dhe dëshmitarë i një realiteti krejt tjetër. A nuk është ky turpi i botës, të asfaltoi vetëm rrugicat e të përgdhelurve të tij ? . Në këtë lagje me 1000 banorë, me afro 10 rrugica, ti asfaltoi vetëm dy, ku njëra është e shërbëtorit të kryetarit të komunës, asamblist, kurse tjetra rrugicë e një nipi të lagjes, dhe mik i kryetarit. Ky është një selektim i llojit t’vet, ku vetëm ai din të japi sqarime për këtë anomali.”

Ajo thotë se personat të cilët shihen në foto, e që janë të shpërndara edhe në profilin e të parit të Podujevës “vetëm pesë prej tyre, janë Statovc, të cilëve po iu ndanë nga një ‘karamele’, të tjerët janë punëtorë kompanie”ka shkruar ajo.

Banorja e cila përmes statusit të saj paraqiti “revoltën” ndaj kryetarit dhe një faqeje të cilën e quan në shërbim te tij dhe LDK- së, në fund të shkrimit ka shkruar se për “këtë që themi, jemi të gatshëm ta argumentojmë, kur të doni e kush të doni.”

Më poshtë po u sjellim të plotë edhe lajmin e publikuar nga kjo faqe:

Banorët e Batllavës të gëzuar!
Në lagjën e Statofcëve të fshatit Batllavë ka filluar asfaltimi i disa rrugëve. Banorët e kësaj lagje shfaqën gëzimin e tyre para kryetarit të Komunës së Podujevës z. Agim Veliu i cili pa nga afër punën që po bëhet aty.
Veliu i përgëzoj ata për rrugën e re dhe kërkojë bashkëpunimin e tyre për realizimin e projekteve të ardhëshme të Komunës.
Banorët e kësaj ane janë shumë të kënaqur me investimet dhe shërbimet e Komunës së Podujevës.