Ish-kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Njazi Thaçi, u ka shkruar një letër punëtorëve të KEK-ut, ku ka folur për zhvillimet e fundit, sidomos pas shkarkimit nga qeveria në detyrë, e udhëhequr nga Albin Kurti.

Në letrën e tij, Thaçi thotë se nuk i komenton këto vendime për shkak që siç thotë ai, janë për motive politike.

Tutje ai shton se Korporata Energjetike e Kosovës është aset i gjithë qytetarëve të saj.

Shkrimi i plotë i Njazi Thaçit:

Të nderuar/a punëtore e punëtor të KEK-ut,

Në pamundësi për të kontaktuar këto ditë për shkak të gjendjes shëndetësore, po ju drejtohem sot me këtë letër falënderimi për kujdesin dhe interesimin qe keni treguar. Unë tani jam mirë dhe në top formë.

Sa i përket zhvillimeve qe kanë ndodhur në Korporatë nuk do i komentoj sepse nuk është në natyrën time. Konsideroj se janë politike, me qëllime të ulëta dhe pa asnjë bazë ligjore.

Për këtë do të ndjekë vetëm rrugët ligjore.

Jam shumë i lumtur qe pavarësisht shqetësimeve dhe turbulencave nga jashtë e brenda keni treguar disiplinë dhe përgjegjësi të lartë.

Mbi çdo interes individual e grupor në KEK gjithmonë ka dominuar interesi i përgjithshëm dhe fryma kolektive. Kjo është dëshmi e rezultateve të jashtëzakonshme qe kemi arritur në tejkalimin e të gjitha caqeve.

Kompania publike me përformancën me të mirë në nivel vendi dhe me arritjen e profitin më të lartë dhe rekord në tri vitet e fundit.

Jemi dëshmuar edhe në këto ditë të vështira pandemie ku me guxim, punë e përgjegjësi po arrimë rekord në prodhim maksimal të energjisë elektrike.

Korporata Energjetike e Kosovës është aset i gjithë qytetarëve të saj dhe përgjegjësi e jona është të jemi në shërbim të qytetarëve.

Mirënjohës dha falënderues për të gjithë,
Shihemi se shpejti,

Me respekt,
Njazi Thaçi