Temperaturat mesatare në Kosovë janë rritur gjatë dekadës së fundit, ndërsa fermerët po përballen me periudha më të gjata të thatësisë, valë të të nxehtit dhe reshje të shkurtra, por intensive.
Ndryshimet në temperaturë dhe në shpërndarjen e reshjeve po e bëjnë prodhimin bujqësor gjithnjë e më të paparashikueshëm. Ekspertët thonë se fermerët dhe institucionet duhet të përshtaten me këto ndryshime, nga përzgjedhja e kulturave dhe varieteteve deri te mënyra dhe koha e mbjelljes.
Për fermerët, ndryshimi i klimës nuk është vetëm çështje statistikash. Pasojat shihen drejtpërdrejt në ara dhe në të ardhurat e tyre.
“Puna e tre muajve u zhduk për gjysmë ore”
Ilvi Jupa, 64-vjeçar, bujk nga Komuna e Rahovecit, kishte mbjellë rreth gjysmë hektari me pjepër, në fshatin Bërnjak.
Stuhia dhe erërat e forta që nisën në këtë rajon më 21 korrik, si dhe reshjet e dendura të mëngjesit të 27 korrikut, ia përmbytën parcelën dhe ia shkatërruan të gjithë prodhimin.
“Tre muaj, i kemi shikuar për çdo ditë, se a po rriten [pjeprat], a po zhvillohen… Kur u bënë gati, për një gjysmë ore uji e fshiu krejt”, tregon Jupa për Radion Evropa e Lirë.
“Ky produkt ka shkuar dëm, është prishur. Janë kalbur nga poshtë, të gjithë. Tash, asgjë… vera është e humbur”, thotë ai.
Djali i Ilvi Jupajt gjatë përmbytjeve në tokën e tyre.
Djali i Ilvi Jupajt gjatë përmbytjeve në tokën e tyre.
Jupa tregon se vetëm në parcelën me pjepër kishte investuar rreth 4.000 euro dhe synonte të fitonte rreth 7.000 euro.
Për të zbutur humbjet, ai po përpiqet të shesë në mënyrë ambulante shalqirin që kishte mbjellë në një parcelë tjetër, e cila nuk u prek nga përmbytjet.
Ilvi Jupa pranë tezgës ku shet bostan dhe prodhime të tjera bujqësore.
Ilvi Jupa pranë tezgës ku shet bostan dhe prodhime të tjera bujqësore.
Por, edhe ky prodhim u dëmtua pjesërisht nga temperaturat e larta gjatë korrikut.
Sipas Jupës, thatësia e shkaktuar nga temperaturat e larta, por edhe reshjet që vijnë me intensitet të madh, janë bërë më të shpeshta gjatë katër-pesë vjetëve të fundit. Ai thotë se në tre vjetët e fundit prodhimet bujqësore i janë dëmtuar vazhdimisht.
“Klima po ndikon. Tash është më thatësirë. Por, kur bie shi, bie me më shumë hov, dhe i përfshin uji më shumë. Më parë, kurrë nuk e ka përfshirë uji kështu”, thekson Jupa, i cili gjatë gjithë jetës është marrë me kultivimin e produkteve bujqësore.






