Xhiroja e 20- të e Vala Superligës së Kosovës do vazhdojë nesër me supersfidën e cila do të zhvillohet në  stadiumin e qytetit të Podujevës “Zahir Pajaziti”, njofton Llapi.info.

Klubi nga Podujeva,  KF Llapi pas humbjes ndaj Prishtinës  xhiron e kaluar, nesër do të kërkoj këndelljen nga Drita e Gjilanit.

Bardh e kaltrit të cilët tashmë gjenden në pozitën e dytë, me një fitore eventuale nga Drita do të kërkojnë rikthimin e pozitës së parë në Vala Superligë, pozitë e cila dërgon drejtpërdrejt në garat evropiane.

Kujtojmë se Llapi është favorit në terren të vet pasi që nga renovimi i stadiumit e deri më tani nuk ka asnjë humbje. Batatina kohë më parë “Zahir Pajazitin” e ka quajtur edhe si një kështjellë të pa mposhtur.

Për këtë përballje Llapi ka bërë edhe një kërkesë për tifozët e klubit “Legjendat”.

“Ju ftojmë që masovikisht të jeni prezent në stadiumin e qytetit të na përkrahni dhe të na ndihmoni drejt rrugëtimit tonë drejt titullit kampion!” thuhet në një njoftim të faqes zyrtare të klubit.

Sfida KF Llapi- Drita do të filloj nga ora 13:00./Llapi.info