Në kuadër të bashkëpunimit të Komunës së Podujevës me Organizatën Ndërkombëtare për Migrim (IOM) në Podujevë do të fillojë realizmi i projektit të ndërtimit të terreneve sportive për komunitetet minoritare njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.

Ndërtimi i terreneve sportive për komunitet minoritare në Podujevë, bëhet falë një marrëveshjeje të nënshkruar nga Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu me përfaqësuesit e IOM-it, si implementuese e EU Programit për Stabilizimin e Komuniteteve (EU-CSP III).

Pas marrëveshjes së nënshkruar është përzgjedhur kompania përfituese për implementimin e këtij projekti dhe ndërtimi i terreneve të hapura sportive do të fillojë menjëherë në një pronë komunale në Rrugën “Ali Ajeti” në Podujevë.

Vlera e përgjithshme e këtij projekti është 26. 983 euro, ku EU-SPC III do të kontribuojë me 13, 983 euro kurse Komuna e Podujevës me 13 mijë euro.

Në kuadër të këtij projekti, parashihet ndërtimi i fushës për futboll dhe basketboll si dhe rrethoja e këtij kompleksi sportiv.