Avduallah Hoti, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i është kundërpërgjigjur kryeministrit Ramush Haradinaj.
“Kryeministri e paska akuzuar LDK-në, me fjalorin e tij të zakonshëm, se nuk ka bërë asgjë kundër idesë për ndarjen e Kosovës. Ky deklarim tregon karakterin politik tepër oportunist të tij”, ka shkruar Hoti në profilin e tij në Facebook, njofton Klan Kosova.
Më poshtë shkrimi i plotë:
Ja argumentet:
- Në prill 2018, LDK-ja i ka kërkuar Kryeministrit të mos i shmanget detyrimit të tij kushtetues për ta udhëhequr dialogun. Ai ka bërë të kundërtën, duke e miratuar një rezolutë në Qeveri ku ia barte Presidentit udhëheqjen e dialogut. LDK-ja e kundërshtoi ashpër atë rezolutë dhe, si rezultat, ajo asnjëherë nuk u nxjerr në diskutim në seancë të Kuvendit.
- Në shtator 2018, LDK-ja bashkë me pjesën tjetër të opozitës, e propozuan një rezolutë në Kuvend me një pikë të vetme, se territori i Kosovës është i panegociueshëm dhe se askush nuk mundet të dialogojë për territorin e Kosovës. Kryeministri me partinë e tij, si dhe Nisma, nuk kishin guximin ta votojnë këtë rezolutë. Kjo rezolutë është ende në rend dite të Kuvendit si pikë e mbetur pezull. Të mërkurën që vjen do të jetë vazhdimi i të gjitha seancave të mbetura të hapura, dhe AKK e Nisma e kanë mundësinë të votojnë këtë rezolutë.
- Në shtator 2018, LDK-ja ju ka dërguar letra ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së dhe Partive Popullore Evropiane (EPP), sikurse edhe ambasadorëve dhe delegacioneve që kanë vizituar Kosovën, LDK-në dhe Grupin Parlamentar, në të cilat letra ne kemi shprehur qëndrimin e qartë kundër ndryshimit të kufijve.
Sikur LDK-ja të ishte indiferente karshi idesë për ndarje të Kosovës, rezoluta e propozuar nga Haradinaj në prill 2018 do të miratohej dhe dialogu do udhëhiqej nga Thaçi, i cili do ta bënte fakt të kryer pazarin me territor të Kosovës. Nuk i ka hije Kryeministrit të shërbehet me të pavërteta dhe me një fjalor të tillë. Po t’i kishte shti LDK-ja ‘veshët në lesh’ dhe po ta përkrahte Qeverinë e PAN-it që dialogun ta drejtojë Thaçi, me idenë për korrigjim të kufijve, sot Kryeministri do ta kishte festuar marrëveshjen me Presidentin.
Por, Haradinaj vetë i kishte “shti veshët lë lesh” dhe nuk e ka dëgjuar refuzimin e LDK-së, sepse e ka pasur kusht për t’u bërë kryeministër që dialogun t’ia lë Thaçit, kryetarit de facto të PDK-së. Haradinaj nuk ka guxuar nga PDK-ja ta përkrahë rezolutën e LDK-së dhe partive tjera opozitare në mbrojtje të sovranitetit e integritetit territorial të Kosovës. E tani rrah gjoks si kundërshtar i shkëmbimit të territoreve. E gjithë Kosova e di se Haradinaj nuk e ka problem të ndërroj qëndrime, në shkëmbim të favoreve për të ardhur e për të qëndruar në pushtet. E ka vulosur me demarkacionin.
Por, kushtetutshmërinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës, nuk e ka në dorë as Haradinaj, as Thaçi, e as qeveria e PAN-it, një qeveri e pakicës me paterica. Kushtetutshmërinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës e mbrojnë qytetarët e Kosovës, nëpërmjet përfaqësuesve që nuk bashkohen në aventura për mbijetesë politike, siç është LDK-ja e cila ka miq në Ushington, Berlin, Paris e gjetiu, që nuk lejojnë pazare me Kosovën, siç ju treguan së fundi në Berlin.
Përfaqësuesit e LDK-së në Kuvend, bashkë me pjesën tjetër të opozitës, nuk do të lejojnë kurrë të kalojë një marrëveshje e dizajnuar nga PAN-i dhe Thaçi që e cënon territorin dhe shtetësinë e Kosovës.
Ne e përkrahim retorikën e Kryeministrit për kundërshtimin e ndryshimit të kufijve, por ne jemi të vetëdijshëm për forcën e tij politike dhe parlamentare me 10 përqind të deputetëve!?