E gjithë Kosova i kishte sytë kah Berlini të hënën ku do të diskutohej për fatin e Kosovës. Por, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj kishte diçka më të rëndësishme për të bërë.
“Unë nuk e kam përcjellë saktë, se jam kanë tu livru. Dje për mu ka qenë ma primare me livru, sepse këta kanë divergjencë aty pak, por aty janë tregu unik edhe sa u informova unë janë tregu unik”, ka thënë Haradinaj.
Sipas tij me interes janë rezultatet e liderëve të Kosovës, që përfaqësuan vendin e jo paraqitjet.
“Po them që edhe në emër të organizatës së veteranëve të luftës për neve nuk kanë rëndësi mënyra si rrin e çka folin. Fjalët e bukura na kemi qe 20 vite, premtime të mëdha për këtë popull kemi qe 20 vite, bile premtime absurde, por rezultate”, është shprehur Haradinaj.
Megjithatë, ai ka thënë se pas këtij Samiti ku të pranishëm ishin Presidenti Thaçi e Kryeministri Haradinaj, ai pret që taksa 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës të hiqet, shkruan Gazeta InFokus.
“Pas përfundimit të Samitit të Berlinit, pres një heqje të taksës. Urojmë që të realizohen ato marrëveshjet që i kanë bo, të fillojnë proceset”, u shpreh ai.