Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci tha se presidenti i vendit ka bërë presion të vazhdueshëm ndaj LVV-së, kurse me dekretimin e Avdullah Hotit për kryeministër, partia e saj vlerëson se Thaçi ka shkelur me paramendim Kushtetutën e vendit.

Nagavci këto komente i bëri para medieve, pas dorëzimit të kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit, të cilën e dorëzoi bashkë me kolegun e saj nga partia, Rexhep Selimin.

“Vendosja e firmës në këtë dekret është vetëm se vendosja e një vule në shkeljen me paramendim të Kushtetutës që ai po e bën tashmë e një kohë. Të gjithë kemi qenë dëshmitarë për presionin jashtë mandatit të tij që presidenti ia ka bërë Lëvizjes Vetëvendosje, me letrat e një pas njëshme të tij që i ka dërguar kryeministrit zotëri Kurtit, kemi parë përzierjen e vazhdueshme të presidentit duke ndikuar në partitë politike dhe në anën tjerët duke anashkaluar fituesin e zgjedhjeve. Pra këto veprime janë të bëra me paramendim në një kohë të gjatë”, u shpreh Nagavci.

Ajo tha se ky vendim është marrë duke anashkaluar Nenin 82 të Kushtetutës së Kosovës.

“Ajo që bihet në sy me këtë dekret është se presidenti e ka anashkaluar tërësisht Nenin 82 duke u thirrur vetëm në nenin 95. Ajo që është me rëndësi, përpos kërkesës për kushtetutshmërisë, kemi bërë kërkesë edhe për vendosjen e masës së përkohshme, masës së ndalimit, dhe ne ftojmë të gjithë që ata që do të jenë pjesë e procesit, të mos marrin asnjë veprim përpara se Gjykata Kushtetuese të vendos për masën ndaluese”, tha Nagavci. /Telegrafi/