Ministri i Bujqësisë në detyrë, Besian Mustafa, ka thënë se do të mbështesë fermerët në Prishtinë edhe përmes subvencioneve e granteve.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se fermerët e Komunës së Prishtinës, janë duke i vazhduar veprimtaritë bujqësore në këtë kohë, falë edhe masave të ndërmarra nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, e cila ka lehtësuar qarkullimin e punëve në këtë sektor.

Për të monitoruar nga afër punën që po e bëjnë këta prodhues, sot gjatë ditës Mustafa, bashkë me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ishte në terren tek disa kultivues bujqësorë të kësaj komune.

“Përmes këtyre vizitave po shohim nga afër gjithë aktivitetin bujqësorë që po bëhet në terren, e po ashtu, në këtë mënyrë dua të jem sa më afër fermerëve për t’i motivuar edhe më tej ata që të vazhdojnë punën për të rritur prodhimtarinë bujqësore, e cila do ta ketë mbështetjen time të plotë. Në kuadër të kësaj mbështetje do të ketë subvencione dhe grante, të cilat do të lehtësojnë dhe do të avancojnë këtë prodhimtari vendore”, tha Mustafa.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, e njoftoi Mustafën për punën që po e bën kjo komunë për të përkrahur kultivuesit bujqësorë, edhe pas gjendjes së krijuar nga pandemia.