Me rastin e 20 vjetorit të masakrës së Mejës kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka përkujtuar këtë ditë, duke thënë se ata që vdiqën dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës.
“Po bëhen 20 vite kur në Mejë të Gjakovës u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës. Po ashtu, sot po bëhen 20 vite ku me krenari përkujtojmë të gjithë të rënët që sakrifikuan çdo gjë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. “Lëndina e Pikëllimit” në Mejë të Gjakovës është e mbushur me varre të grave, burrave, fëmijëve dhe të moshuarve të cilët nuk u kursyen, të gjithë ata idealist për Kosovën e lirë të cilën nuk arritën dot ta shihnin. Është një ditë më shumë që frymëzohemi për të punuar dhe dashur më shumë shtetin tonë”, thuhet në komunikatën nga LDK.
Masakra e Mejës si dhe të gjitha masakrat tjera të kryera në Kosovë gjatë luftës janë dëshmi e krimeve të Serbisë.
“Kjo ditë të mos jetë vetëm përkujtim i 377 viktimave të masakruara në Mejë por edhe një thirrje më shumë për zbardhjen dhe drejtësinë për të gjitha viktimat e luftës”, përfundon Mustafa.