Institucionet shëndetësore në Kosovë vazhdojnë të përballen me mungesë të kushteve elementare. Nga kjo, më së shumti po e pësojnë pacientët, shkruan Llapi.info.

Edhe pse është e paraparë që një pacient ta ketë një shtrat nëpër reparte të QKUK-së, kjo nuk është duke ndodhur. Sipas dëshmitarëve të cilët edhe kanë dërguar pamje në Llapi.info, deri në tre pacientë janë të shtrirë në një krevat në repartin e ORL-së, të cilët janë duke marrë tretman mjekësor.

Përveç që rëndon akoma më shumë gjendjen e tyre, probleme në trajtimin e shëndetit të pacientëve e kanë edhe personeli shëndetësor.

Ky problem vazhdon të mos ketë zgjidhje, ani pse raste të tilla ka pasur disa herë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, teksa në kohë kur ulen temperaturat rritet numri i personave që kërkojnë shërbime shëndetësore.

Gjendjen në këtë repart e përkeqëson akoma më shumë punimet që janë lënë këtë kohë për t’u kryer.

Duhet përkujtuar se pacientët vazhdimisht ankohen për kushtet që ofrojnë objektet shëndetësore në Kosovë./Llapi.info