Disa kamera të sigurisë që vëzhgojnë hapësira publike janë të vendosura nëpër shtylla të ndryshme në katër komunat veriore të Kosovës. Pronësia e tyre nuk dihet e as kush i kontrollon ato.

Këto komuna pritet t’i nënshtrohen një kontrolli nga Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), që është përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe ligjshmërinë e përpunimit të të dhënave personale, për të parë nëse ky lloj vëzhgimi po bëhet në përputhje me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Kamerat janë të vendosura në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok.

Kamerat vëzhguese në Mitrovicë të Veriut
Sipas AIP-së, hapësirat publike mund të vëzhgohen vetëm për nevoja të policisë.

Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut ka thënë se në katër komunat veriore Policia e Kosovës ka instaluar kamera vëzhguese vetëm në stacionet policore.

“Të gjitha kamerat e tjera vëzhguese nuk janë nën juridiksionin e Policisë së Kosovës dhe nuk ka mbikëqyrje zyrtare mbi to”, thuhet në përgjigjen e tyre.

REL iu drejtua komunave në veri të Kosovës që funksionojnë sipas sistemit të Kosovës, por edhe organeve paralele komunale, të cilat financohen nga buxheti i Serbisë, me pyetjen se kush e ka instaluar video vëzhgimin në komunat në veri të Kosovës dhe kush i kontrollon ato kamera.

Deri në publikimin e këtij artikulli askush nuk është përgjigjur.

Në komunat në veri të Kosovës, sistemi kosovar dhe ai serb janë disi të ndërthurura, sepse të njëjtit persona kryejnë funksione në të dy sistemet.

REL iu drejtua edhe rrethit administrativ të Mitrovicës së Kosovës, i cili funksionon në sistemin serb dhe është përgjegjës për “organizimin dhe kryerjen e punës” në komunat në veri. Kryetar i atij qarku është Vuçina Jankoviq, ish-kryetari i Komunës së Zveçanit.

Kamerat në rrugët e Zvecanit
Përgjigja në pyetjen e REL-it se kush është përgjegjës për video-vëzhgimin në komunat në veri nuk ka ardhur as nga Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë.

Sistemi i video-vëzhgimit nëpër komunat e tjera të Kosovës është kryesisht i blerë dhe i vendosur nga organet komunale.Ligji për Policinë në Kosovë parasheh se “Policia është e autorizuar të bëjë vëzhgim parandalues të vendit publik, duke përdorur pajisje për incizime video-akustike dhe pajisje fotografike për t’i vëzhguar vendet publike ku në të kaluarën shpesh janë kryer vepra penale, apo ku ka arsye të bazuar të besohet se vëzhgimi publik do ta zvogëlonte rrezikun nga kryerja e veprave penale dhe do ta përmirësonte sigurinë publike në të ardhmen, në pajtim me Kodin e Procedurës Penale”.

Kamera në veri të Mitrovicës

Qytetarët nuk e dinë se kush i vëzhgon

Derisa të panjohurat lidhur me pronësinë dhe kontrollin e kamerave në komunat veriore vazhdojnë, disa qytetarë të anketuar nga REL-i në Mitrovicën e Veriut thonë se megjithatë ndihen të sigurt me praninë e tyre.

“Kush (i ka vendosur) dhe në pronësi të kujt janë nuk e di…Nuk kisha thënë se po më pengojnë, është më mirë që kamerat janë aty, njerëzit në Mitrovicë (të Veriut) ndihen më të sigurt kur janë kamerat se sa nëse nuk janë”, thotë Millosh Nedelkoviq.

Kamerat në rrugët e Zveçanit
Edhe Milan Jakovlevliq thotë se nuk e ka idenë kush i kontrollon këto kamera.

“Po kamerat duhet të jenë aty, marrë parasysh të gjitha çfarë ndodhin rreth nesh. Ka pasur shumë situata të palakmueshme që janë zbuluar disa persona me qëllime të këqija, kur ka pasur rrahje dhe kur i kanë kapur kriminelët e ndryshëm. Kështu që duhet të jenë aty ku janë”, thotë ai.

E mendim të ndryshëm ka Bozhidarka Periq që nuk po e sheh nevojën për këtë vëzhgim.

“Epo nuk ka nevojë, ne nuk jemi hajdutë këtu. Për mua, të paktën mendoj, jam nënë, gjyshe si të thuash, jetojmë normalisht, gjithçka është normale”, tha Periq.

Telashe edhe në komunat e jugut

Kamera të vendosura në një tjetër komunë me shumicë Serbe por në jug të Kosovës, në Shtërpcë, ishin cak i Policisë së Kosovës të enjten, më 7 korrik, e cila i sekuestroi ato, pasi dyshohet se janë të vendosura nga strukturat ilegale serbe.

Paralajmërimi për hapësirë të vëzhguar nga kamerat në hyrje të Graçanicës
Ndaj kësaj kishte reaguar Komuna e Shtërpcës, e cila funksionon në sistemin e Kosovës. Sipas saj, video-mbikëqyrja në territorin e kësaj vetëqeverisjeje lokale “është instaluar në përputhje me procedurat e vlefshme ligjore dhe përmes procesit të prokurimit publik për video-vëzhgim”.

Ndaras këtij aksioni, Agjencia për Informim dhe Privatësi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ka bërë një inspektim lidhur me ligjshmërinë e video-vëzhgimit në hapësirat publike në Shtërpcë dhe se shpejt do të dalin me një raport nga ky inspektim.

Një inspektim i tillë ishte bërë edhe në komunën e Graçanicës në afërsi të Prishtinës, po ashtu me shumicë serbe, më 14 shkurt të vitit 2022.

Kamera të vendosura në Gracanicë
AIP-ja ka thënë për REL-in se kjo komunë e ka respektuar vendimin e nxjerrë më 20 prill që i kërkonte ndalimin e vëzhgimit të hapësirave publike përmes këtyre kamerave.

“Tani hapësirat publike në këtë komunë [Graçanicë] vëzhgohen nga Policia e Kosovës si organ kompetent i përcaktuar me ligj”, thotë AIP.

Këtë e ka konfirmuar për REL edhe komandanti i Stacionit Policor në Graçanicë, Bratislav Trajkoviq, i cili thotë se kamerat që mbikëqyrin rrugët publike në këtë komunë vëzhgohen nga Policia.

Sipas AIP-së deri më tani janë realizuar inspektime sa i përket vëzhgimit me kamerë në hapësira publike në Pejë, Prishtinë, Gjilan, Gjakovë, Ferizaj, Prizren, Shtërpce, Fushë Kosovë, Ranilluk, Partesh, Lipjan, Graçanicë.

Kamerat në Graçanicë
Në disa prej vendimeve nga këto inspektime që janë publikuar online, komunat janë urdhëruar të asgjësojnë materialin e grumbulluar deri më tani, në mospërputhje me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Në mesin e tyre ishin Gjakova, Prishtina, Graçanica dhe Peja.

Inspektime lidhur me kamerat e sigurisë pritet të bëhen në të gjitha komunat deri në fund të vitit.

Në dhjetor të vitit 2021, Radio Evropa e Lirë ka raportuar se Serbia, përmes institucioneve të cilat i ka në Kosovë, ka blerë sistemin e video-mbikëqyrjes të kompanisë kineze që është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), të dedikuar për shkollat në 12 komuna të Kosovës.

Siç është parë nga dokumentacioni, sistemet e video-mbikëqyrjes të markës kineze Dahua, të cilat Serbia i blen për shkollat në Kosovë, kanë edhe opsionin e njohjes së fytyrave.

Sipas Departamentit amerikan të Tregtisë, Dahua Technology është kompani kineze, e cila që nga viti 2019, gjendet në listën e zezë të SHBA-së për shkak të ndërlidhjes së saj me shkeljet e të drejtave të njeriut dhe fushatën kineze të represionit kundër ujgurëve në provincën kineze të Xinjiangut.

Kamera të markës Dahua dhe HickVision (një tjetër kompani në listë të zezë të SHBA-së), janë parë të vendosura edhe në shumë institucione publike të Kosovës, duke përfshirë ndërtesën e Qeverisë. /rel/