Barna të prodhuara nga kompanitë farmaceutike të Serbisë janë shpërndarë kohëve të fundit nëpër barnatoret e institucioneve publike të Prishtinës, furnizimin e të cilave me këto produkte e bën Ministria e Shëndetësisë, shkruan sot Koha Ditore.
Një hulumtim i “Kohës Ditore” ka nxjerrë në pah se produktet serbe, me të cilat janë furnizuar barnatoret e Qendrave të Mjekësisë Familjare të kryeqytetit, kanë hyrë përmes procedurave të rregullta nëpër depo publike. Kjo është bërë në emër të furnizimit të këtyre barnatoreve me barna të Listës Esenciale, të cilën e menaxhon Ministria e Shëndetësisë, që nga tenderimi e deri tek dorëzimi i mallit.
Drejtues të Komunës së Prishtinës kanë konfirmuar se depot farmaceutike të QMF-ve janë furnizuar me barna serbe, por kanë thënë se nuk kanë njohuri të mëtejme se si ka ndodhur kjo, meqë është kompetencë e Ministrisë, e jo e Komunës.
Bujar Gashi, drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, ka thënë për gazetën se furnizimi i barnatoreve të Qendrave të Mjekësisë Familjare me disa produkte të ardhura nga Serbia është bërë për arsye se Barnatorja Qendrore e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare furnizohet nga Ministria e Shëndetësisë me produktet që janë nga Lista Esenciale. (Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)