Ministria e Ekonomisë është zotuar se do të ndajë 75 milionë euro për qytetarët dhe bizneset që do të përballen me shtrenjtim të rrymës për 42 për qind.
“Duke marrë parasysh situatën e jashtëzakonshme dhe të paprecedentë në tregjet evropiane të energjisë elektrike që ka ndikuar edhe Kosovën, Qeveria e Republikës së Kosovës me kërkesë të Ministrisë së Ekonomisë është zotuar të subvencionojë qytetarët e bizneset e Kosovës, duke i mbrojtur kështu nga rritja e tarifave”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.
ME vlerëson se këto subvencionet paraqesin të ardhura për sektorin që nuk është e nevojshme të mbulohen nga tarifat e energjisë elektrike dhe rrjedhimisht, zbusin rritjen e tarifës së energjisë elektrike.
“Subvencioni i energjisë elektrike nga ana e Qeverisë do të ndikojë që tarifa për konsumatorët biznesor mbetet me 0% rritje, tarifa për konsumatorët shtëpiakë deri në konsumin prej 600 kWh mbetet me 0% rritje, ndërsa tarifa e propozuar nga ZRrE për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh të reduktohet, duke pasqyruar çmimin e importit për këta konsumatorë dhe promovuar efiçiencën e energjisë”, thuhet tutje në këtë njoftim.






