Ministri i Financave, Hekuran Murati, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se terminalit doganor “Diana Sh.P.K.” në Podujevë nuk i është vazhduar licenca, shkruan Llapi.info.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të parashtruara për këtë temë nga deputetja e PDK-së, Floretë Zejnullahu, ministri Murati ka thënë se janë duke punuar ngushtë me Doganën për ndërtimin sa më të shpejtë të Terminalit shtetëror.

“Tash sa i përket telasheve që mund të shkaktoj gjatë këtij tranzicioni, i kuptoj dhe i mirëkuptoj qytetarët dhe ju kërkoj ndjesë të gjitha bizneseve të cilat përkohësisht do të duhet të kryejnë punë në terminale të tjera në distanca të tjera, mirëpo jemi duke punuar ngushtë me Doganën që ta ndërtojmë shumë shpejt terminalin shtetëror”, ka thënë Murati.

Sipas Muratit, licenca nuk është vazhduar pasi terminali ka qenë në pronësi private dhe me mosvazhdim të licencës po përmbushet zotimi që terminalet t’i kthehen shtetit.

“Më lejoni të ju njoftoj që nuk ka ndonjë vendim për mbyllje, në fakt ka skaduar licencave që iu është dhënë terminalit. Në fakt licenca i është dhënë në vitin 2017, validitetin e ka pasur deri më 18 qershor 2022. Ka skaduar licenca dhe ne si qeveri e kemi pasur edhe premtim elektoral edhe në program qeverisës që terminalet doganore dhe terminalet e mallrave do t’i zëvendësojmë në terminale shtetërorë”, u shpreh ministri para deputetëve./Llapi.info