Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, dëshirojnë t’i japin një shtysë të re procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit që është duke u zhvilluar me lehtësimin e Bashkimit Evropian. Kështu i kanë thënë nga kabineti i Merkelit të përditshmes malaziase “Pobjeda”.

Ndërkaq të pyetur nga kjo e përditshme nëse përfshirja e drejtpërdrejtë e Gjermanisë dhe Francës në zgjidhjen e problemit të Kosovës, do të thotë se nuk janë të kënaqur me veprimet e Bashkimit Evropian, zëdhënësi i qeverisë gjermane është përgjigjur shkurt duke thënë se të dy vendet përkrahin vazhdimin e dialogut, transmeton Telegrafi.

“Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron shprehën mbështetjen për dialogun sa i përket normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ata duan t’i japin një shtysë të re që zhvillohet në ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”, kanë deklaruar nga qeveria gjermane për të përditshmen “Pobjeda”.

E pas deklaratës së zëdhënëses së Bashkimi Evropian, Maja Kocijancic, e cila tha se shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini mbetet ndërmjetësuesja e vetme në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, nga kabineti i kancelares gjermane kanë thënë se janë duke bashkëpunuar me Brukselin.