Blerta Begaj, e fejuara e Mentor Salihit, mjekut që vdiq në një aksident mes një autoambulance dhe një veture në Gjakovë, ka bërë një postim prekës.

Begaj thekson se e ngushëllon fakti që mjeku u nda nga kjo jetë si një hero.

Ajo tutje në një postim në Facebook ka shkruar “Sot e gjithë Kosova të njeh si doktor Mentorin, që dha jetën në shpëtim të jetës së njerëzve të tjerë”.

“Sado që unë nuk po mundem me u pajtu e po përballem çdo ditë me dhimbjen e ikjes tënde, më bënë me u ndi më lehtë fakti që ti ke lënë kaq shumë gjurmë në jetën time, e që e kam pas fatin me e njoftë një njeri si ti prej së afërmi”, ka shkruar ajo.

Lexoni më poshtë shkrimin e saj të plotë:

Sot u bënë kaq ditë që prej ikjes tënde, e unë ende nuk po mbërrij me pranu e as me besu që ti nuk je më. Është kaq e vështirë të shkruaj për ty.

Me ngushëllon e më bënë krenare pa masë fakti që u ndave nga kjo jetë si një hero, ti nuk mbete vetëm heroi i zemrës time por u bëre heroi i të gjithë atyre që i ktheve në jetë kur nuk kishin shpresa, i atyre që të njohën, e i atyre që për herë të parë dëgjuan për ty, me veprën tënde madhore, me flijimin tënd, pikërisht ashtu siç gjithmonë veprove, vendosë të tjerët përpara vetës tënde.

Sot e gjithë Kosova të njeh si doktor Mentori, që dha jetën në shpëtim të jetës së njerëzve të tjerë, e gjithë Kosova të ka nderu, të ka thurur vargje e të ka kujtu, në kujtesën e secilit prej tyre do të mbetesh gjatë e përgjithmonë.

Sado që unë nuk po mundem me u pajtu e po përballem çdo ditë me dhimbjen e ikjes tënde, më bënë me u ndi më lehtë fakti që ti ke lënë kaq shumë gjurmë në jetën time, e që e kam pas fatin me e njoftë një njeri si ti prej së afërmi.

Krejt kujtimet me ty, që janë kaq të bukura, kam me i mbajt përgjithmonë në zemër e me jetu me to. Kështu kam me të mbajt afër e ti ke me jetu përgjithmone brenda kësaj zemre.

Ti, Mentor u kujdese kaq shumë për të tjerët, ishe afër secilit njeri që pati nevojë për ty, prandaj ikja jote la kaq shumë zbrazëti te secili prej nesh, tek unë që të pata mbështetje në secilin hap të jetës.

Lutem që Zoti të t’shpërblejë në botën tjetër, për njeriun fisnik, human e i dashur që ishe në këtë botë dhe për dritën që rrezatove në jetën e kaq shumë njerëzve. /Telegrafi/